Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbajtën konferencë të përbashkët për media ku u theksua se NATO dhe Bashkimi Evropian kurrë nuk kanë qenë më të bashkuara.

Biden tha se udhëheqësi rus Vladimir Putin do të dështojë në luftën në Ukrainë.

“Putini gjithnjë e më shpesh po sulmon objektivat civile. Ai do të dështojë. Ai ka dështuar edhe më parë dhe është shumë e rëndësishme që ai dhe të gjithë të shohin se unë dhe presidenti Zelenskyy jemi të bashkuar”, tha Biden.

Ai tha se do ta mbështesin Ukrainën për sa kohë të ekzistojë Ukraina.

“NATO dhe BE nuk kanë qenë kurrë më të bashkuara për cilëndo çështje dhe nuk shoh shenja të ndryshimit. Të gjithë e dimë se çfarë po luhet, vetë ideja e sovranitetit, karta e OKB-së. Putin mendoi se do të dobësonte NATO-n. Ai forcoi NATO-n dhe nxori një Evropë më të bashkuar”, tha Biden.

Zelenskyy theksoi se paqja e drejtë nuk mund të jetë kompromis për lirinë.

“Çfarë do të thotë paqe e drejtë? Për mua, si president, paqja e drejtë nuk mund të jetë kompromis për sovranitetin, lirinë dhe tërësinë territoriale të vendit tim, kompensim për të gjitha dëmet e shkaktuara nga agresioni rus”, tha Zelenskyy dhe shtoi: “Nuk mund të ketë paqe të drejtë në luftën që na është imponuar”.

Ai theksoi se vendi i tij, së bashku me ata që mbështesin Ukrainën, po lufton për fitore kundër tiranisë.

“Kjo është jeta reale dhe ne do të fitojmë”, shtoi presidenti ukrainas, duke theksuar se Ukraina dhe aleatët e saj ndajnë vlera të përbashkëta.

Zelenskyy theksoi se është i bindur se Ukraina do të vazhdojë të ketë mbështetjen e SHBA-së dhe falënderoi administratën amerikane për raketat Patriot.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm që do të forcojë ndjeshëm mbrojtjen ajrore të vendit tonë”, tha presidenti i Ukrainës, duke theksuar se është një hap shumë i rëndësishëm për krijimin e një hapësire ajrore të sigurt për Ukrainën.

Biden potencoi se është e qartë se Putini nuk ka ndërmend të ndalojë luftën mizore në Ukrainë dhe se ky takim u zhvillua në një kohë kur presidenti rus Putin po “përshkallëzon sulmet brutale” ndaj Ukrainës.

“Ukraina fitoi betejën e Kievit, betejën e Kharkivit dhe atë të Khersonit. Duhet të kemi të qartë të gjithë se çfarë po bën Rusia. Ajo po sulmon qëllimisht infrastrukturën kritike”, tha Biden duke shtuar se Rusia tani po përdor dimrin si armë.

Ai gjithashtu tha se dorëzimi i sistemit amerikan Patriot në Ukrainë nuk ka për qëllim përshkallëzimin e situatës, por është për qëllime mbrojtëse.

Biden paralajmëroi 45 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. “Do të qëndrojmë me ju sa të jetë e nevojshme, nuk do të jeni vetëm”, tha presidenti amerikan.

SHBA-ja njoftoi të mërkurën një pako të re ndihmë ushtarake prej 1.85 miliardë dollarësh për Ukrainën, përfshirë sistemin raketor Patriot, për të cilat Rusia e ka paralajmëruar Washingtonin të mos ia dërgojë Kievit.

Me këtë pako, ndihma që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës që nga janari i vitit 2021 do të arrijë në 21.9 miliardë dollarë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re