Skip to content

Biden përshëndet nisjen e negociatave të Tiranës dhe Shkupit për anëtarësim në BE

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka përshëndetur nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE).

“SHBA mirëpret hapat e rëndësishëm që BE-ja po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka theksuar Biden.

Duke tërhequr vëmendjen në luftën Rusi-Ukrainë, Biden theksoi se në këtë moment uniteti i Evropës është më i rëndësishëm se kurrë dhe se Ballkani Perëndimor është gjithashtu i rëndësishëm në këtë vizion.

“SHBA do të vazhdojë të jetë një partner i fortë dhe i besueshëm derisa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë në ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”, tha Biden.

Kujtojmë se sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar negociatat e anëtarësimit në BE, duke e mbajtur edhe konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.
Burimi: AA