Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden njoftoi të hënën përbërjen e një grupi pune të ekspertëve shëndetësorë të cilët do të planifikojnë përgjigjen e qeverisë së tij ndaj pandemisë së koronavirusit.

“Përballja me pandeminë e koronavirusit është një nga betejat më të mëdha që do të hasë qeveria jonë dhe unë do të dëgjoj shkencën dhe ekspertët,” tha Biden.

“Grupi i punës do të ndihmojë në formësimin e qasjes time për të menaxhuar rritjen e infeksioneve të reja, duke siguruar që vaksinat të jenë të sigurta, efektive, efikase, të shpërndara në mënyrë të drejtë dhe falas, dhe mbrojtjen e grupeve me rrezik të lartë,” shtoi presidenti i ri.

Grupi do të bashkë-kryesohet nga Vivek Murthy, njeriu i parë amerikan i shëndetit publik në mandatin e Barack Obama i cili u hoq nga zyra nga Donald Trump, si dhe ish-kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) David Kessler.

Murthy ishte ndër kritikët e parë të qasjes së Trump ndaj pandemisë.

Kreu aktual i grupit të punës për luftën kundër koronavirusit, dr. Anthony Fauci, nuk është emëruar ende në trupin e Biden.

Shtetet e Bashkuara janë vendi me numrin më të madh të njerëzve të infektuar që nga fillimi i pandemisë – 10.2 milion prej tyre. Shtetet e Bashkuara, me 243,000 viktima, kanë dhe numrin më të lartë të vdekjeve.

Por Trump vazhdon të refuzojë të pranojë humbjen në zgjedhje dhe ka ngritur një seri padish për të sfiduar rezultatet në disa shtete. Analistët besojnë se këto procese ligjore nuk mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re