Koronavirusi nuk është më agresiv si në fillimet e epidemisë.  Edhe pse çdo ditë shtohen të prekurit nga Covid-19, ekspertët kanë vënë re ulje të aktivitetit të virusit. Vjollca Durro, specialiste në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT, tregon se këtë periudhë të prekurit po e kalojnë sëmundjen në formë të lehtë ose janë pa shenja.

“Ka rënë virulenca, që duket te numri i rasteve të shtruar dhe në format që nuk janë të rënda si më parë. Reagimi ndaj virusit është individual, por të gjitha rastet janë asimptomatike ose me shenja të lehta klinike”, thotë mikrobiologia.

Edhe pse nuk ka shpjegime të sakta për uljen e agresivitetit të virusit gjatë  kësaj periudhe, specialistët thonë se popullata nuk duhet të heqë dorë nga rregullat dhe masat mbrojtëse ndaj Covid-19.

“Virusi është gjithsesi midis nesh kështu i bej apel të gjithave të respektojnë rregullat e distancimit social”, thotë Durro për A2.

Më shumë se gjysma e personelit mjekësor në qendrën spitalore “Nënë Tereza” i janë nënshtruar testimit serologjik. Por vetëm 9% e të testuarve e kanë  kaluar koronavirusin dhe kanë krijuar antitrupat e COVID-19.  Por nëse mund të preken serish gjatë një valë të dytë infektimi  kjo ende nuk dihet.

Sipas mjekes, “të gjithë infeksionet virale, po krijove antitrupe ndaj një infeksioni, nuk prekesh ose prekës lehtësisht, por për sa i përket COVID-19, të gjitha gjërat janë ende në diskutim”.

Analizat serologjike do të vijojnë për stafet mjekësore, ndërkohë që komiteti teknik po sheh mundësinë për shtrirjen e këtij testimi edhe në popullatë  në kampione dhe qytete të caktuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re