Skema e formulimit të testeve për maturantët e sivjetshëm do të jetë e ndryshme nga ajo e një viti më parë.

Kushtet e pandemisë gjatë vitit të kaluar bënë që provimi të organizohej vetëm në trajtën e pyetjeve me alternativa, ndërkohë që për këtë vit është vendosur që testimi të organizohet një pjesë me alternative dhe një pjesë me shtjellim.

Maturantët do të kryejnë tre provimet për lëdët me detyrim dhe një provim me alternativë, ku lënda zgjidhet prej tyre.

Pas një jave mësim në distancë, maturantët bashkë me ciklin fillor rikthehen sot në bankat e shkollës. Ndërsa klasat e ndërmjetme do të vazhdojnë mësimin online.

STRUKTURA E TESTIT

Duke nisur nga data 3 qershor deri në gjysmë të muajit janë parashikuar të mbyllet sezoni i testimeve ku do të zhvillohet nga një provim çdo katër ditë. Ai nis me gjuhën e huaj, për të vazhduar në 7 qershor më gjuhën amtare e letërsinë, në datën 11 me provimin e matematikës dhe në 15 lënda me zgjedhje.

Udhëzimi me datat doli pak ditë pas interpelancës së kërkuar të maturantëve me numrin 1 të Ministrisë së Arsimit, pas paqartësive të krijuara për shkak të pandemisë. Ai i rikthehet strukturës së dy viteve më parë. Nuk do të provohet më skema e të gjitha pyetjeve me alternativa, korrigjimi i të cilave mund të bëhet online për të kursyer kohë dhe burime njerëzore.

Testimet do të kenë tri nivele vështirësie dhe totali i pikëve për të siguruar notën maksimale është 60. Vetëm 20 pyetje do të jenë me alternativa, ndërsa pjesa tjetër me zhvillim. Nuk do të pilotohet më as shkurtim i kohëzgjatjes së provimit, i cili do të rikthehet në dy orë e 30 minuta. I vetmi ndryshim është që, për të marrë notë kaluese nuk do të mjaftojnë më 20% të pikëve, por 25%, bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërorë, miratuar në muajin që shkoi. Maturantët kanë përmbyllur procesin e aplikimeve me formularin A1 në kohë rekord, më herët se asnjëherë më parë, që në dhjetor të vitit që shkoi.

Aty kanë shënuar një nga katër gjuhët e huaja ku do të testojnë njohuritë. Sezoni nis herët këtë vit me synim mbylljen e vlerësimeve brenda muajit qershor, për të mos penalizuar sigurimin e diplomës për ata që duan t’u besojnë të ardhmen e tyre universiteteve të huaja. Si asnjë vit më parë, pandemia la në Shqipëri qindra të rinj që kishin menduar që në krye të herës të kryenin arsimin e lartë jashtë vendit.

Kjo solli ezaurimin e kuotave në degë të shumëkërkuara që në fazat e para të raundit të parë. Ministria është zotuar që për maturantët që kanë këtë mendje, të realizojë brenda datës 15 korrik diplomat e tyre, ndërsa rezultatet e provimeve brenda muajit qershor. Sa u takon provimeve për klasat e pesta dhe të nënta, nuk ka ende një vendim nëse do të zhvillohen apo jo.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re