Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali duke marrë fjalën në Konferencën e parë Kombëtare Antikorrupsion, që zhvilloi punimet sot në Tiranë, tha se, “Shqipëria po bën progres në luftën kundër korrupsionit”.

 

“Në këtë mandat qeveria ka si kryefjalë digjitalizimin, si mjetin për të fituar këtë betejë, duke thjeshtuar jetën e qytetarëve dhe të biznesit në marrjen e shërbimeve publike. Vite më parë ishin pak ata që e besonin revolucionin digjital, por sot pavarësisht sfidave ofrimi i shërbimeve elektronike është realitet i prekshëm nga të gjithë”, tha ajo.

 

Ministrja Bilali solli në vëmendje raportin e OECD-së, që e rendit Shqipërinë të parën ndër vendet e Ballkanit Perëndimor në ofrimin e shërbimeve publike online dhe revolucionin digjital, që ka sjellë lehtësi për qytetarët dhe biznesin.

 

“Që prej vitit 2015 për biznesin ka nisur automatizimi i proceseve informatike, që më parë kryhej manualisht nga inspektorët, ndërsa sot ato kryhen nga zyra e biznesit. Sistemi doganor gjithashtu ka përfituar nga sistemi digjital. Operatorët ekonomikë në 2021 përfituan 34 nga 41 shërbime doganore, ndërsa 4 shërbime të reja u shtuan vitin e fundit. Prokurimet publike, gjithashtu kryhen vetëm online. Ndërsa histori suksesi në digjitalizim i takon DPSHTRR-së, e cila nga 4 shërbime online në 2018, sot numëron 77 shërbime online”, deklaroi Bilali.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re