Më shumë se pesë mijë jetë të humbura. Ky është bilanci i deritanishëm i viktimave nga tërmeti katastrofik në Turqi dhe Siri. Ndërkohë mbi 7 mijë persona janë nxjerre të gjallë nga rrënojat.

 

Por sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo, kaosi mbizotëron në spitalet shtetërore ku vihet re mungesa e stafit mjekësor, pasi pjesa më e madhe e tyre janë larguar.

 

Nga ana tjetër, situata paraqitet edhe më e rënduar në Siri. Banorët kanë nisur të plaçkitin supermarketet, pasi janë lënë pa ushqim dhe nuk kanë një strehë ku të fusin kokën. Ekipe vullnetare janë duke përdorur vetëm mjete pune në tentativë për të ndihmuar njerëzit e zënë poshtë gërmadhave.

 

Ndërkohë e gjithë bota kanë treguar gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë Turqisë dhe Sirisë. Mëngjesin e të martës aeroplanët që transportonin ndihma nga Iraku dhe Irani, me ushqime, ilaçe dhe batanije, mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut në Siri.

 

Bashkimi Evropian ka aktivizuar mekanizmin e reagimit ndaj krizave, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se do të dërgonin dy njësi kërkim-shpëtimi në Turqi.

 

Ekipet e mbrojtjes civile dhe mjekësore palestineze do të dërgohen gjithashtu në Turqi dhe Siri për të ndihmuar operacionet. Turqia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa shkollat janë te mbyllura deri në 13 shkurt. Mbi 5 mijë ndërtesa janë shembur, ndërsa pasgoditjet e tërmetit 7. 8 rihter vijojnë ende.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re