Bilanci 6-mujor i “Memorialit” turk në Fier

80109643-ba26-4b50-9dcb-be80ffef5bb4-630x408-1.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Mbi 28 mijë shërbime janë ofruar deri tani në spitalin rajonal Memorial të Fierit, ku operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e këtij spitali, Rudina Degjoni bëri një bilanc të 6-mujorit të parë të punës, ku theksoi se “për qytetarët e Jugut janë dhënë mbi 28 mijë shërbime spitalore”.

Në 6 muaj, sipas Degjonit, “janë realizuar 8171 shërbime ambulatorike dhe 7242 shërbime imazherike, 100% falas me sistem referimi”.

Po ashtu, drejtoresha e Spitalit Memorial Fier tha se janë kryer edhe 441 ekzaminime neurologjike.

Risia e këtij spitali, sipas Degjonit, është vendosja e sistemit “fast-track”, ku pacientët mund të planifikojnë vizitat online, përmes faqes web të spitalit.

Po ashtu, Degjoni tha se aktualisht po aplikohet edhe një formë e telemjekësisë, përmes lidhjes online me mjekët.

Spitali rajonal Memorial Fier u ofron shërbim 550 mijë banorëve të Jugut.

Ky spital ka një ekip prej 206 punonjësish, prej të cilëve 53 janë staf turk dhe 153 staf shqiptar.

I ndërtuar në një kohë rekord, me një kapacitet prej 150 shtretërish, Spitali rajonal Memorial i Fierit është investim i Republikës së Turqisë dhe ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e Jugut.

Spitali po administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk, të cilët po punojnë për të formësuar modelin e ri të autonomisë spitalore në sektorin publik.

Spitali rajonal Memorial Fier ofron shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë. /atsh/

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë