Skip to content

Bilanci i projekteve të Tiranës, Veliaj: Nga projektet infrastukturore te ato sociale e kulturore, Tirana ka njohur zhvillim të vrullshëm

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Në një bilanc të 3 viteve të mandatit të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, gjatë mbledhjes me Kryeministrin Rama dhe kryetarët e të gjitha bashkive në vend, Erion Veliaj tha se kryeqyteti, ku është përqendruar sot rreth 40% e popullisë, ka njohur një transformim dhe zhvillim i vrullshëm.

Veliaj tha se buxheti i Tiranës është rritur me 350% – pra 3.5 herë në total – kurse vetëm të ardhurat e bashkisë janë rritur 4 herë më shumë. Sipas INSTAT, Tirana rritet çdo vit me 32 mijë vetë, çka sipas Veliajt tregon se destini i qytetit është të përballet me problematikat e strehimit dhe të mobilitetit. Ndër projektet më të rëndësishme të realizuara, kryebashkiaku përmendi hapësirat ikonike si sheshi “Skëndërbej”, Pazari i Ri, Kalaja, Bulevardi i ri, Blv. Zogu I, etj.

“Kemi rikualifikuar 60 blloqe banimi dhe rreth 500 km rrugë në të gjithë territorin e Tiranës, qoftë urbane, qoftë rurale. Për procesin e rindërtimit kemi 7 lagje të reja. Ndërkaq, po ndërtojmë 24 shkolla në total, ku shumica kanë përfunduar, 16 konvikte dhe 506 banesa individuale. Përsa i përket lagjeve post tërmetit, jemi gati të hapim Zall-Herrin, Baldushkun, jemi në gjysmë të rrugës në Pezë, ndërkohë kemi mbaruar Ndroqin dhe Vaqarrin. Përsa i përket zhvillimit rural, kemi realizuar një sërë rrugësh lidhëse, si ajo që lidh Krrabën e Zall-Herrin me Tiranën. Tek rrethrrotullimi i TEG-ut po mbaron terminali juglindor i Tiranës, të cilin do ta hapim këtë vjeshtë. Sapo kemi hapur garën për Terminalin Verior te kthesa e Kamzës. Kemi rikostruktuar 41 shkolla, kemi mbaruar 19 shkolla të reja të nivelit “Lasgush Poradeci” apo “Sami Frashëri”. Në shtator do të hapim edhe 12 shkolla të reja, si “Bashkim Fino”. Kemi investuar në 158 çerdhe dhe kopshte, beteja jonë e parë ishte për fëmijët. I kemi kthyer qytetit 9 biblioteka, 40 palestra të reja për shkollat dhe 45 terrene sportive”, u shpreh Veliaj.

 Ai tha se pas këtij viti, kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, vitin tjetër po bëhen përpjekje për të marrë titullin Kryeqyteti Europian i Sportit. Veliaj tha se Tirana është një nga kandidatet kryesore për këtë titull, çka do të ishte një mundësi e madhe për të vijuar promovimin e kryeqytetit tonë. Ai shtoi se kanë mbaruar konviktet e inxhinierisë dhe mjekësisë, si dhe kampusi i UBT me 8 godina të reja. Gjtihashtu, kryebashkiaku përmendi se 70 mijë student janë pajisur me Kartën e Studentit, e cila ofron rreth 1500 shërbime me ulje.

 “Për Tiranën e gjelbër dhe të pastër kemi themeluar një kompani publike, Eco Tirana, një bashkëpunim me bashkinë e Veronës dhe të Viçencës. Sot qyteti është dita me natën sa i takon pastërtisë. Kemi sot, sipas INSTAT, një dyfishim të vlerës së pronës për çdo qytetar. Keni parë që i kemi dhënë udhë edhe parkut të Farkës, që është një valvul tjetër shkarkimi në pjesën lindore të qytetit. Këndet e lodrave kanë kaluar në 75 të tilla. Parimi ka qenë të bëjmë një kënd lodrash për fëmijët çdo muaj në një lagje të Tiranës. Kemi 45 parqe komunitare 45 dhe 52 km linjë korsi biçikletash. Po ashtu, kemi investuar në zonën e parkut Olimpik dhe Kopshtit Zoologjik. Sapo kemi çliruar pishinat e Tiranës dhe tashmë janë hapur për publikun,” u shpreh kryebashkiaku i Tiranës. 

Përsa i përket zhvillimit ekonomik, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës sapo ka marrë nga qeveria shqiptare licencën për të qenë operator i një zone të lirë ekonomike në Kashar. “Ndërkohë, kemi 24 tregje në secilën prej njësive. Kemi një treg lëvizës që shëtit nëpër Tiranë, kryesisht për të akomoduar ambulantët dhe shumë prej problematikave që kemi pasur me shitjen në rrugë. Përsa i përket rivitalizimit të jetës kulturore turizmit, kemi pasur 700 aktivitete që sponsorizohen aktivisht nga bashkia çdo vit. Kush ka qenë në Tiranë e shikon që Tirana është e mbushur me turistë,” nënvizoi Veliaj.

Përsa i përket çështjeve sociale 419 familje janë sistemuar në banesa sociale. Veliaj tha se edhe transporti publik ka kaluar nga 200 në 400 autobusë, si dhe lajmëroi disa risi vitin tjetër në këtë sector, në bashkëpunim me gjermanët e “KFV” dhe “GIZ”. Veliaj tha se javën tjetërhapet gara për ndërtimin e Teatrin Kombëtar.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë