Për herë të parë presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton do të mbërrijë sot në Tiranë.

Ceremonia në nder të presidentit Clinton do të zhvillohet të hënën në orën 19.00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBAve Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

Në orën 19.05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Clinton të marrë çmimin e akorduar. Në orën 19.25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBAsë Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit.

Gjatë kësaj ceremonie, presidenti Bill Clinton e kryeministri Edi Rama do të përcjellin nga një mesazh para të gjithë qytetarëve, që do të mblidhen për të nderuar një prej presidentëve më të rëndësishëm për kombin shqiptar. Kryeministri Edi Rama tregoi për “Euronews Albania” detaje nga vizita që ish-Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, do të zhvillojë në datën 3 korrik në Tiranë.

“Do t’i bëjmë një mirëseardhje shqiptare, do t’i japim mundësinë të njohë pak nga Tirana. Do të kemi një event publik përpara Kryeministrisë në mbrëmjen e datës 3 në orën 19:00. Ai do të flasë do të mbajë një fjalë përpara qeverisë, pastaj do të dalë nga aty dhe do të kemi shumë të ftuar”, tha kreu i qeverisë.

Kreu i qeverisë tha se ardhja e ish-presidentit është mbajtur sekret vetëm për shkak të ndryshimit të agjendës së Bill Clinton.

“Unë e kam ftuar presidentin Clinton prej disa kohësh, kjo është një vizitë e planifikuar dhe e parashikuar prej disa kohësh, të cilën e kemi mbajtur sekret vetëm për ndonjë arsye të ndonjë befasie që mund të ishte agjenda e Presidentit amerikan dhe takimi është një takim për ta bërë të mundur prezantimin me Shqipërinë të Presidentin Klinton”, tha Kryeministri.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se ftesa për të vizituar vendin tonë i është bërë disa vite me parë, por vetëm se fundi janë krijuar mundësitë për realizimin e saj.

“Ai ka qenë në Kosovë, ai e njeh Kosovën, por ai nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri, ndërkohë që për shqiptarët ai dhe familja e tij kanë një respekt dhe një ndjenjë afeksioni të jashtëzakonshme, gjë që e kam thënë dikur, e kemi provuar kur kemi qenë të ftuar në një nga samitet e ‘Clinton Global Initiative’ në Nju Jork. Aty kishte rreth 2 mijë vete që ishin nga bota e biznesit, nga bota e medias, shoqëria civile dhe në tryezën kryesore ishin të ulur: Bill Klinton, Hillari Klinton, Hashim Thaçi, i ndjeri Bujar Nishani dhe unë.

Pra, ishte respekti për Shqipërinë, për shqiptarët që na vuri ne në tavolinën kryesore megjithëse aty kishte president dhe kryeministra të tjerë familja Klinton ishte ulur me ne. Që atëherë i kam thënë Presidentit që duhet të vijë të vizitojë dhe Shqipërinë. Kemi pasur kontakte me Zonjën e Parë, kemi një marrëdhënie miqësore dhe më në fund janë krijuar kushtet që presidenti do të vijë”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Vizita e Bill Clinton në Tiranë vjen pas ftesës së kryeministrit Edi Rama për të njohur Shqipërinë.

“Sot, forcat tona të armatosura u janë bashkuar aleatëve të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë”, u shpreh Presidenti amerikan me 24 mars të vitit 1999.

Ky fjalimi i presidentit Bill Clinton në 24 marsin e vitit 1999, në të cilin lajmëroi nisjen e sulmit të forcave të NATO-s mbi Serbinë, e ka bërë presidentin një prej figurave më të rëndësishme për shqiptarët. Fushata ajrore e NATO-s zgjati 78 ditë dhe në 12 qershor 1999 forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar çlirimin e shqiptarëve nga serbët.

Presidenti Clinton e ka vizituar 3 herë Kosovën, por kjo është hera e parë që ai vjen në Tiranë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re