Themeluesi e Microsoft, Bill Gates, një ndër më të pasurit në botë, do të ndajë 460 milionë dollarë për programet që do të ndihmojnë studentët e kolegjeve dhe nxënësit e varfër dhe të margjinalizuar në Shtetet e Bashkuara gjatë pesë viteve të ardhshme.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates njoftuan se në fazën e parë, rreth njëqind milionë dollarë do të investohen në 19 programe të shkollave të mesme në komunitetet e varfëra në 13 shtete federale.

Dhe themeluesi i Microsoft ka investuar shumë në arsim në Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 1998 deri në vitin 2018 në kuadër të programit GMS, Fondacioni Gates ndau 1.6 miliardë dollarë për bursa studentore, gjysma e të cilave shkoi tek nxënësit e varfër, prindërit e të cilëve nuk i çojnë dot në kolegj.

Gates, ndër të tjera, u ka mundësuar bibliotekave të shkollave në komunitetet e varfëra anembanë Shteteve të Bashkuara të marrin kompjutera dhe të kenë qasje në internet.

Ky program siguroi që rreth 10,000 biblioteka në të gjithë vendin të kenë qasje në teknologji të reja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re