Bill Gates, i cili ka ndarë miliarda dollarë për të adresuar krizën klimatike, duket se po rishikon qëndrimin e tij mbi rreziqet që rrjedhin nga ngrohja globale, duke argumentuar se alarmizmi i tepërt shpërqendron vëmendjen nga prioritetet reale.

Sipas New York Times, në një memo të gjatë të botuar të martën, bashkëthemeluesi i Microsoft kërkoi të zbusë atë që e quajti “ton apokaliptik” që shpesh përshkruan pasojat e ndryshimeve klimatike. Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për një theks më të madh në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendet më të varfra. “Ndërsa ndryshimi i klimës do të ketë pasoja serioze – veçanërisht për njerëzit në rajonet më të varfra – nuk do të çojë në zhdukjen e njerëzimit”, tha ai. “Njerëzit do të jenë në gjendje të jetojnë dhe të lulëzojnë në shumicën e pjesëve të Tokës për të ardhmen e parashikueshme.”

Ndërhyrja, katër vjet pas botimit të librit të tij “Si të shmangim një katastrofë klimatike”, shënon një ndryshim të qartë në perspektivën e miliarderit mbi sfidat e ngrohjes globale. Memorandumi u publikua një javë para samitit të OKB-së për klimën (COP30) në Belem të Brazilit, në të cilin Gates nuk do të marrë pjesë.

Në vitet e fundit, ai ka financuar politika dhe teknologji të energjisë së pastër përmes fondit të investimeve Breakthrough Energy, të cilin e themeloi në vitin 2015. Kompania ka investuar në startup-e dhe projekte që synojnë uljen e emetimeve, ndërtimin e rezistencës së komuniteteve të varfra ndaj përmbytjeve, zjarreve dhe thatësirave, dhe zhvillimin e teknologjive inovative të energjisë së pastër.

Megjithatë, në muajt e fundit, Breakthrough Energy ka zvogëluar në mënyrë drastike operacionet e saj, ndërsa Gates njoftoi plane në maj për të mbyllur gradualisht Fondacionin Gates, i cili ndau më shumë se 1.4 miliardë dollarë për të mbështetur fermerët në vendet në zhvillim. Në të njëjtën kohë, Gates vazhdon të investojë në teknologjitë e energjisë së pastër dhe inovacionin bërthamor, siç është TerraPower, i cili kohët e fundit mori miratimin kritik federal për të zhvilluar një lloj të ri reaktori.

Në memon e tij, ai argumentoi se komuniteti global duhet të investojë më shumë në uljen e kostos së energjisë së pastër dhe në uljen e ndotjes në sektorët industrialë, bujqësorë dhe të transportit. Megjithatë, ai theksoi se një theks i tepruar në uljen e emetimeve në afat të shkurtër po i devijon burimet e vlefshme nga veprimet më efektive për të përmirësuar jetën e njerëzve në një botë më të ngrohtë.

Ndërsa pranoi se ndryshimi i klimës është “një problem shumë i rëndësishëm që duhet të zgjidhet”, ai vuri në dukje se “perspektiva katastrofike ka bërë që pjesa më e madhe e komunitetit të përqendrohet shumë në objektivat e menjëhershme të uljes së emetimeve”. Dhe kjo “i heq burimet nga masat më efektive që na duhen për të përmirësuar jetën në një planet që po ngrohet”, shkroi ai.

Siç thekson media amerikane, analistët besojnë se Gates po përpiqet të ripozicionojë debatin për politikën klimatike në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përjetojnë polarizim të fortë politik. Siç komentoi David Callahan, kryeredaktor i Inside Philanthropy, “mund të jetë një përpjekje për t’u zhvendosur drejt qendrës për të shmangur shënjestrimin nga administrata Trump”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re