Skip to content

Bill Gates rishikon qëndrimin e tij ndaj ndryshimeve klimatike: “Nuk do të çojë në zhdukjen e njerëzimit

bill gates

Ai argumenton se alarmizmi i tepërt shpërqendron vëmendjen nga prioritetet e vërteta. Ai bëri thirrje për një theks më të madh në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendet më të varfra.

Bill Gates, i cili ka investuar miliarda dollarë për të adresuar krizën klimatike, duket se po e rishqyrton qëndrimin e tij mbi rreziqet e ngrohjes globale, duke argumentuar se alarmizmi i tepërt e shpërqendron vëmendjen nga prioritetet reale.

Sipas New York Times, në një deklaratë të gjatë të botuar të martën, bashkëthemeluesi i Microsoft kërkoi të zbuste atë që e quajti “tonin apokaliptik” me të cilin përshkruhen shpesh pasojat e ndryshimeve klimatike. Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për theks më të madh në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendet më të varfra. “Edhe pse ndryshimet klimatike do të kenë pasoja serioze, veçanërisht për njerëzit në rajonet më të varfra, ato nuk do të çojnë në zhdukjen e njerëzimit”, deklaroi ai. “Njerëzit do të jenë në gjendje të jetojnë dhe të lulëzojnë në shumicën e pjesëve të botës në të ardhmen e parashikueshme”.

Deklarata, vjen katër vjet pas botimit të librit të tij “Si të shmangni një katastrofë klimatike”, shënon një ndryshim të dukshëm në perspektivën e miliarderit mbi sfidat e ngrohjes globale. Memorandumi u publikua një javë para Samitit të OKB-së për Klimën (COP30) në Belém, Brazil, në të cilin Gates nuk do të marrë pjesë.

Në vitet e fundit, ai ka financuar politika dhe teknologji të energjisë së pastër përmes fondit të investimeve Breakthrough Energy, të cilin e themeloi në vitin 2015. Kompania ka investuar në startup-e dhe projekte që synojnë uljen e emetimeve, forcimin e rezistencës së komuniteteve të varfra ndaj përmbytjeve, zjarreve në pyje dhe thatësirave, si dhe zhvillimin e teknologjive inovative të energjisë së pastër.

Por në muajt e fundit, Breakthrough Energy ka reduktuar në mënyrë drastike operacionet e saj, dhe Gates njoftoi në maj qëllimin e tij për të mbyllur gradualisht Fondacionin Gates, i cili kishte dhuruar mbi 1.4 miliardë dollarë për të ndihmuar fermerët në vendet në zhvillim. Gates vazhdon të investojë në teknologjitë e energjisë së pastër dhe inovacionin bërthamor, siç është TerraPower, i cili kohët e fundit mori një miratim të madh federal për të zhvilluar një lloj të ri reaktori.

Në deklaratën e tij, ai argumentoi se komuniteti global duhet të investojë më shumë për të ulur kostot e energjisë së pastër dhe ndotjen në sektorët industrialë, bujqësorë dhe të transportit. Megjithatë, ai theksoi se një theks i tepruar në uljen e emetimeve afatshkurtra po devijon burimet e çmuara nga veprime më efektive për të përmirësuar jetën e njerëzve në një botë që po ngrohet.

Ndërsa pranoi se ndryshimi i klimës është “një problem shumë i rëndësishëm që duhet zgjidhur”, ai vuri në dukje se “perspektiva katastrofike ka bërë që pjesa më e madhe e komunitetit të përqendrohet tepër në objektivat e menjëhershme të reduktimit të emetimeve”. Dhe kjo “po i largon burimet nga masat më efektive që duhet të ndërmarrim për të përmirësuar jetën në një planet që po ngrohet”, shkroi ai.

Siç raportojnë mediat amerikane, analistët besojnë se Gates po përpiqet të ripozicionojë debatin për politikën klimatike në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përjetojnë polarizim të fortë politik. Siç komentoi David Callahan, kryeredaktor i Inside Philanthropy, “ndoshta kjo është një përpjekje për t’u zhvendosur drejt qendrës për të shmangur shënjestrimin nga administrata Trump”.

Përshtati në Shqip S