Kandidati i mbështetur nga opozita, Florin Binaj, reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lënë në detyrë kryebashkiakun Erion Veliaj dhe për të anulluar garën për Bashkinë e Tiranës.
Ai theksoi se do të kandidojë sa herë të mbahen zgjedhjet dhe se përkushtimi i tij është për qytetin dhe qytetarët, jo për pushtet.
Binaj falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe besimin, duke theksuar se rrugëtimi i tij vazhdon. Vendimi i Kushtetueses rrëzoi dekretin e Presidentit dhe vendimin e Këshillit të Ministrave. Kjo do të thotë se deri në zgjedhjet e ardhshme, Veliaj mbetet në detyrë.
Reagimi i Florin Binajt:
- Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim.
- Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë.
- Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë.
- Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon.
- Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë.
