Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino u kërkoi qytetarëve që të mbajnë maskën. Ajo tha se edhe kur të dalë vaksina, masat do të vijojnë dhe maska duhet të mbahet.

“Pavarësisht vendimeve, më e rëndësishme është që ne duhet të kuptojmë normalitetin e ri, duhet të mbajmë maskën. Maska do të mbahet edhe pas daljes së vaksinës, deri sa të shohim që do japë efekt.

Në momentin që do të kemi vaksinën, ajo mund të mbrojë ata që janë më të rrezikuar për të bërë forma të rënda, por përsëri këto masa do të vijojnë që të zbatohen deri kur vaksina të ketë impakt në transmetueshmërinë e sëmundjes” tha ajo.

Kapacitetet për testet janë shtuar edhe me një tjetër laborator, tha më tej Bino. “Aktualisht në rrjetin e ISHP-së, kemi tre laboratore, një bazë në ISHP, një i kërkimeve veterinare dhe i treti i cili është i lidhur me ISHP-në. Dhe pastaj kemi laboratorin e QSUT-të. Kemi 4 laboratore që po funksionojnë në rrjetin publik. Kemi edhe rrjetin e laboratorëve private”.

Në pritje të testit të shpejtë, Bino tha se “Do të jenë një revolucion, do të ofrojë testimin sa më afër qytetarit, që do të ndihmojë në izolimin dhe masat e menjëhershme të kontrollit. Janë teste që kryhen në terren” përfundoi Bino.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re