Koalicioni shqiptar “Pro Familjes dhe Jetës”, ku janë bashkuar Forumi Mysliman i Shqipërisë, çifti Akil dhe Lindita Pano- Fondacioni “Ancora Inc”, Fisnik Kruja- Forumi Mysliman i Shqipërisë, Ilir Çumani- Instituti Kombëtar i Fëmijëve Jetimë të Shqipërisë, Silvi Mihali- eksperte Zhvillimi i Hershëm te Fëmijët (ABA) dhe Erion Kristo pedagog, analist dhe aktivist i shoqërisë civile janë takuar këto ditë me përfaqësuesit më të lartë politik në vend për të kërkuar prej tyre që të marrin masa për të mbrojtur shoqërinë në krizën në të cilën ndodhet.

TAKIMET

Takimin e parë një përfaqësi nga koalicioni shqiptar “Pro Familjes dhe Jetës” e zhvilluan me kreun e shtetit, Ilir Meta. Pas prezantimit të koalicionit, u diskutua mbi krizën në të cilën ndodhet familja shqiptare dhe nevojën për angazhimin serioz të të gjithë institucioneve dhe shoqërisë në zvogëlimin e impaktit negativ dhe krijimin e mundësive për kurimin e plagëve të familjes. Më tej, biseda vijoi mbi çështje me interes të lartë publik, që lidhen me propozimet ligjore, të cilat prekin Kodin e Familjes. Ky takim në Institucionin e Presidentit të Republikës, ishte edhe pikënisja e takimeve të tjera të planifikuara me përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore.

Po ashtu, koalicioni shqiptar “Pro Familjes dhe Jetës” gjithashtu takoi edhe kryetarin e grupit të PS-së, Taulant Balla, dhe deputetin e Komisionit të Ligjeve, Toni Gogu. Pas prezantimit të koalicionit, u diskutua mbi krizën në të cilën ndodhet Familja Shqiptare dhe biseda vijoi përsëri mbi çështje me interes të lartë publik, që lidhen me propozimet ligjore të cilat prekin Kodin e Familjes. Kërkesa jonë sikundër dhe dakordësia nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës ishte nevoja e hapjes së një debati publik përpara prezantimit në Parlament të ligjeve, të cilat prekin Kodin e Familjes. Së fundmi, ata u takuan edhe me dy nënkryetarët e PD-së, Grida Duma dhe Alfred Rushaj, si dhe anëtaren e Komisionit të Ligjeve, Greta Bardeli.

Gjatë bisedës intensive, kërkesa jonë ishte që: Grupi Parlamentar i Opozitës të pozicionohet qartë në mbrojtje të familjes dhe jetimëve, siç është pozicionuar ideologjikisht e djathta konservatore në botë. Ndërkohë që qeveria ka paraqitur projektligjin për ndryshime në Kodin e Familjes dhe Ligjin e Birësimeve, apeli ynë është ruajtja e vlerave të martesës, familjes dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijëve jetimë. Nga përfaqësuesit e opozitës morëm garancinë që do të jenë aleatët e kësaj kauze jetike për kombin dhe të ardhmen e shoqërisë Shqiptare.

 

Ndërkohë, kujtojmë se Kodi i Familjes dhe Ligji për Birësimin ishte parashikuar në kalendarin trijavor të punës që të shqyrtohej në 10-ditëshin e parë të nëntorit në komisionet ligjore, por që është shtyrë për shkak të axhendës së ngjeshur të Kuvendit, pasi diskutohet projektbuxheti dhe paketa fiskale.

Në ndryshimet që propozohen në Kodin e Familjes parashikohet që të ulet mosha për personat që aplikojnë për të birësuar. Po ashtu, një tjetër ndryshim është që tani mund të aplikojnë për birësim edhe një person i vetëm dhe persona që nuk janë të lidhur me martesë, por bashkëjetojnë. Në planin e punës të miratuar nga qeveria për personat LGBTI premtohet se ligjet e mësipërme do i nënshtrohen ndryshimeve për të akomoduar shqetësimet e personave LGBTI. Por, kjo nismë u kundërshtua edhe nga komitetet ndërfetare, të cilët nuk janë dakord që fëmijët të birësohen nga personat LGBTI. 5 përfaqësi fetare iu drejtuan me një shkresë dhe propozime përkatëse në Kodin e Familjes.

Marrë nga Panorama.al

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re