Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse, në përpjekje për t’i ushtruar presion Moskës që të negociojë një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Njoftimi erdhi një ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se takimi i planifikuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Budapest do të shtyhej pa afat.
“Sa herë që flas me Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk çojnë askund,” tha Trump, citon BBC.
Edhe pse ndikimi ekonomik në Rusi pritet të jetë i kufizuar, vendimi përbën një kthesë të madhe në politikën e jashtme të Trump, i cili më parë kishte thënë se nuk do të vendoste sanksione derisa vendet evropiane të ndalonin blerjen e naftës ruse.
Kremlini reagoi duke thënë se “Rusia është imune ndaj sanksioneve”.
Trump kishte kërcënuar disa herë me masa më të ashpra ndaj Moskës, por i kishte shmangur deri më tani, me shpresën për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje pas tre vjet e gjysmë lufte.
Administrata e tij është përpjekur ta paraqesë SHBA-në si një ndërmjetës disi neutral mes dy vendeve në luftë, pas viteve të mbështetjes së hapur ndaj Ukrainës nga paraardhësi i tij, Joe Biden. Por presidenti amerikan është treguar gjithnjë e më i zhgënjyer nga Kremlini për mungesën e vullnetit për të ecur përpara me negociatat.
Sanksionet janë gjithashtu diçka që udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kishte kërkuar prej muajsh. Ai i quajti ato “një sinjal të mirë” nga SHBA, duke shtuar se një armëpushim do të ishte i mundur nëser.
Të mërkurën, Trump kritikoi Putinin për mungesë serioziteti në arritjen e paqes dhe shprehu shpresën se sanksionet do të mund të çojnë në një përparim.
“Thjesht ndjeva se kishte ardhur koha. Kemi pritur gjatë,” tha ai.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se masat ishin të nevojshme për shkak të “refuzimit të Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte pa kuptim”.
Sipas tij, kompanitë e prekura,”Rosneft” dhe “Lukoil”, financojnë “makinerinë e luftës së Kremlinit”.
Nafta dhe gazi janë eksportet më të mëdha të Rusisë. Dy kompanitë e sanksionuara eksportojnë rreth 3.1 milionë fuçi naftë në ditë. Vetëm Rosneft prodhon gati gjysmën e naftës ruse, që përbën rreth 6% të prodhimit global, sipas vlerësimeve të qeverisë britanike.
Konsumentët më të mëdhenj të Moskës janë Kina, India dhe Turqia. Trump u ka bërë thirrje edhe këtyre vendeve që të ndalojnë blerjen e naftës ruse, si pjesë e përpjekjeve për t’i shkaktuar presion ekonomik Kremlinit.
Trump dhe Putin u takuan në Alaska në gusht, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ndërkohë një takim i dytë mes dy liderëve është anuluar tashmë.
