Mbajtja pastër e ambientit në kushtet e një fluksi shumë të madh turistësh, sidomos në zonat bregdetare, është një nga sfidat më të mëdha edhe në Vlorë.

 

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ishte në këtë qytet për të inspektuar situatën e territorit. Vlora në fakt, është një nga qytetet që mbështetet me një operator shtesë gjatë muajve të verës, me qëllim pastrimin e plotë të vijës bregdetare.

 

Sipas ministres, Vlora ka qenë një rast i vështirë për sa i përket ambientit.

 

“Më duhet të them që Vlora ishte fronti më i vështirë krahasuar me Durrësin, krahasuar me Kavajën, me Sarandën, me Himarën edhe me Rrogozhinën sepse Vlora iu shtua paketës së pastrimit të plazheve të AKB-së këtë vit. Na rezultoi fronti më i vështirë dhe në një farë mënyre unë dua të falenderoj Agjencinë Kombëtare të Bregdetit që ka mbuluar edhe një pjesë të territorit të qytetit, që i takonte bashkisë për ta bërë”, u shpreh Kumbaro.

 

Gjatë inspektimit, ministrja e vuri theksin tek ndërgjegjësimi, por edhe ndëshkimi me gjoba. Ajo kërkoi dhe bashkëpunimin me bizneset.

 

“Nga gjithë monitorimi që ne bëjmë të gjithë bashkë në 24 orë, problemin më të madh e kemi me bizneset. Dhe nëse do të duhet të përmirësojmë në mënyrë rrënjësore diçka, është komunikimi me bizneset. Dua t’u jap një mesazh bizneseve: Nuk mund të ketë turizëm, nuk mund të ketë shërbim në hoteleri, nuk mund të ketë shërbim në restorant ndërkohë që bizneset gënjejnë vetveten duke i marrë koshat e plehrave, duke i keqtrajtuar”, vazhdoi ministrja Kumbaro.

 

Ministrja u ndal edhe tek ligji që ndalon zhurmat e larta, duke i kërkuar kryetarit të bashkisë Vlorë të përgatisë hartën e territorit, për të identifikuar zonat ku do të lejohet dhe ndalohet muzika e lartë, një proces ku përfshihen Policia e Shtetit, Policitë Bashkiake dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re