Teksa Kryeministri i është rikthyer nismës për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore, biznesi i bimëve medicinale është i mendimit se Shqipëria është e vonuar në këtë ide. Sipas Filip Gjokës, kreu i shoqatës së bimëve mjëksore, i cili ishte i ftuar në E-ZONË, vendi ynë duhet ta provojë këtë shans, por me rregulla të qarta loje.

 

“Kjo industri po qarkullon miliarda lekë në ato vende ku është legalizuar, pse të mos përfitojmë dhe ne. Unë mendoj se jemi të vonuar në këtë pikë. Tashmë kemi një eksperiencë pozitive, me eksportin e bimëve mjekësore, ndaj kjo eksperiencë të shërbejë për të nxitur me tej tregun edhe me bimën çudibërëse, kanabisin”, shprehet Filip Gjoka.

 

Sipas Gjokës, një industri e tillë do të nxiste investimet nga sipërmarrës  brenda vendit, por do të shfaqte interes edhe nga sipërmarrësit e huaj, siç është rasti i Maqedonisë së Veriut. Ne, si industri tha Gjoka jemi të gatshëm të marrim pjesë në aplikimet për licensim nëse kjo ide do të gjejë zbatim. Në 2021, tregu i eksporteve të bimëve mjekësore nga Shqipëria kapi shifrën e 61 milionë dollarëve, duke zënë 20 % të volumit të eksporteve në tërësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re