Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me dhjetëra biznese në zonën mes Brryllit dhe Xhamllikut në Tiranë, duke konstatuar përkeqësimin e gjendjes ekonomike nga dita në ditë për bizneset e vogla. Pronarët e tyre shprehen se pagesa shumë e vogël e dhënë nga qeveria, është e pamjaftueshme për të mbyllur shpenzimet e muajit, me taksa më të rritura dhe me fatura më të larta për ujin dhe energjinë.

“Jemi keq. Shumë keq, shumë shumë keq. S’kemi marrë as pagë lufte. Kam paguar të gjitha taksat, siguracionet, të gjitha. Çfarë mund të bëj me një kioskë kaq të vogël që e kaluan me TVSH?! Nuk kam marrë asnjë mbështetje. Xhiro është shumë e ulët, 60 -70% ulje”- tha pronari i një dyqani të vogël.

“Mora një mbështetje, e cila nuk më del as për qeranë, 260 mijë lekëshin. Kisha punëtoren, detyrova ta heq sepse nuk e përballoj dot. Tani jam vetëm unë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të shikoni vetë gjithë rrugës sesa e trishtë është situata, kanë mbyllur qepenin- tha pronarja e një dyqani veshjesh.

“E kam dyqanin me qera, 200 mijë lekë. Shpenzimet e muajit më shkojnë 300 e ca mijë lekë bashkë me dritat, taksat, që vijnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për tre muaj mora vetëm 400 mijë lekë nga qeveria. Kam 40 vjet në këtë profesion, por ka ardhur kohë shumë e keqe. Njerëzit nuk kanë më fuqi”- i tha kryetarit Basha një këpucar.

Për shkak të pamundësisë për t’i paguar, shumë nga bzineset kanë larguar nga puna shumë njerëz, por një nga problemet e reja që ata kanë është drejtimi shtetit përmes facebook-ut të Ramës dhe ndalimi i biznesit në fundjavë. “Të mos na e mbyllë të shtunën e të dielën. Njerëzit që janë në punë dalin për të blerë të shtunë e të dielë. Pandemia është ose gjatë gjithë kohës ose nuk është fare, kështu që është non sens kjo” – theksoi e revoltuar pronarja e një biznesi të vogël”.

“Atëherë kur kemi më shumë punë, në fundjavë, del korona dhe duhet të futemi brenda. Pretendohet që gjatë fundjavës njerëzit shpenzojnë diçka, atëherë nuk na lejojnë”- u shpreh pronarja e një biznesi lulesh gjatë bashkëbisedimit me kreun e opozitës.

Basha tha se “duhet t’i kthehemi një orë e më parë normalitetit dhe më e rëndësishmja është t’ju mbështesim ju, se po nuk  mbështetëm biznesin do të shkatërrojmë ekonominë, do të shkatërrojmë gjithçka.  Mesa duket këtë qëllim ka qeveria, të shkatërrojë biznesin. Me statuse “Facebook”-u kujtohet te të lajmërojë në 21:30 të darkës. Unë e kisha bllok, detyrova ta zhbllokoja që të shihja statusin a mund ta hapja dyqanin nesër. Këtu jemi katandisur.

Kjo është totalisht e paligjshme. Këta e kanë mendjen vetëm të zhvasin e të marrin, sikur nuk do të ketë të nesërme. Kështu që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë të mos e lejojmë këtë” deklaroi Basha

Kreu i opozitës i inkurajoi bizneset e vogla të rezistojnë dhë së bashku të bëjnë ndryshimin që i duhet familjeve shqiptare dhe vendit. “Mbahuni se kemi kaluar shumë të këqija, por ky e ka mendjen vetëm të zhvasë dhe të marrë, por gjërat do t’i ndryshojmë, nuk do t’i lëmë kështu në mëshirë të fatit”- u shpreh zoti Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re