Biznesi i vogël është përfshirë nën ethet e TVSH. Gjatë paradites së të enjtes, dhjetëra tregtarë në tregun ushqimor në Tiranë kanë mbyllur qepenat për dy orë,  në shenjë proteste. Ata kundërshtojnë aplikimin e TVSH.
 
Duke marrë në konsideratë faktin që pjesa më e madhe e tregtarëve të vegjël nuk zotërojnë njohuritë e duhura per të mbajtur dokumentacionin e nevojshëm, ata thonë se do t’u rriten kostot dhe do t’u cenohen fitimet modeste.
 
Shoqata e biznesit të vogël dhe te mesëm më mënyrë të vazhdueshme e ka kundërshtuar vendosjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar, por pavarësisht kundërshtimeve, ligji hyri në fuqi nga data 1 Prill.
 
Rreth 60 biznese te Qendrës Tregtare Pazari Korçë mbyllen aktivitetet për 2 orë në shenjë proteste për kalimin e tyre në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kjo në përgjigje të thirrjes së bërë nga shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë. Tregtarët thonë se e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet e rritura nga futja në këtë skemë.
 
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë për qarkun Korçë ka kërkuar rishikimin e skemës së TVSH-së duke e çuar pragun në 10 milionë lekë, si dhe të ulë TVSH nga 20% në 6% për produktet e shportës.
 
Në qarkun e Korçës janë rreth 7600 biznese të vogla nga të cilat rreth 600 kanë kaluar që nga 1 Prilli në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, për shkak të xhiros vjetore që i ka kaluar 2 milionë lekët.
 
Këto kanë qenë të vetmet biznese që janë përfshirë në grevë pasi pjesa tjetër e bizneseve të pazarit të Korçës kanë vijuar punën normalisht.
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re