Çmimet e shtrenjta kanë qenë kryefjala për familjet, gjatë dy viteve të fundit, sidomos në një vend si Shqipëria, ku 41% e të ardhurave familjare shpenzohen për ushqim. Por a mund të presim ulje çmimesh gjatë këtij viti?

Theodhori Kristuli, nga Unioni Tregtar, gjatë një interviste për “E-ZONE” në Vizion Plus,  tha se çmimet janë rikthyer në nivelet e para pandemisë. Por pse në tregun tonë nuk reflektohen?

“Mund t’ju them me siguri se çmimet janë ulur. Jo vetëm të produkteve industriale, por edhe ato ushqimore si gruri, mielli, vaji etj. Ngërçi është tek çmimet e produkteve të bulmetit, mishit që janë prodhim vendas. Bizneset prodhuese janë në vështirësi dhe janë pikërisht ata, të cilët nuk reflektojnë ulje çmimesh në treg”, – tha Kristuli në Vizion Plus.

Sipas Kristulit gjatë këtij viti nuk do të ketë më ulje çmimesh, pasi bizneset kanë kosto të rritura.

“Unë mendoj se çmimet nuk do të ulen më tej. Biznesit janë përballë sfidave. Rritja e pagave në administratën publike është presion i madh dhe për sektorin privat. Edhe ne jemi të detyruar të rrisim më tej pagat për punonjësit tanë. Çdo rritje page shoqërohet dhe me rritje sigurimesh. Këto janë kosto plus për ne. Nga ana tjetër largimi i shqiptarëve jashtë vendit do të thotë largim të konsumatorëve, për rrjedhojë edhe konsumi ka rënë. Ky fakt ndikon direkt në koston për njësi prodhimi”, – sqaroi Kristuli.

Edhe për vitin 2024 shqetësimi kryesor i sipërmarrjes mbetet gjetja e fuqisë punëtore. Kjo sfidë që është prezente prej tre vjetësh, po vë në pikëpyetje produktivitetin ekonomik në tërësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re