Biznesmeni australian dhe manjati i minierave Andrew Forrest njoftoi se do të dërgojë ndihmë në Gaza në shumën prej rreth 6.4 milionë dollarë (6.07 milionë euro), transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë së lajmeve “9News”, biznesmeni australian tha se njerëzit në Gaza po vuajnë shumë, duke thënë se dëshiron t’u ndihmojë sadopak. “Mendoj se kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj tragjedie njerëzore, ku familjet e pafajshme janë kapur në zjarrin vdekjeprurës”, tha Forrest.

Duke kujtuar se ka ndihmuar edhe njerëzit në Ukrainë, Forrest tha se dëshiron të ndihmojë edhe popullsinë civile në Gaza. “Të gjithë pajtohemi se fëmijët e pafajshëm dhe prindërit e tyre duhet të mbrohen sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Forrest.

Donacioni do të paguhet tek institucionet e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatës “Mjekët pa Kufij” dhe do të përdoret për të ofruar ndihmë në ujë, ushqim, ndihmë mjekësore dhe mbrojtje të fëmijëve.

Sipas “Australian Financial Review”, ndihma e dhënë nga Forrest është e barabartë me shumën e ndihmës së dhënë nga e gjithë qeveria australiane.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, derisa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet njerëzore”.

Të paktën 3.478 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza ndërsa tek pala izraelite shifra qëndron në të paktën 1.405 të vrarë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re