VLORE– Pas ekzekutimit të biznesmenit Vasil Dervishaj në Vlorë mbrëmjen e kaluar, policia e Vlorës ka gjetur një kallashnikov rreth 30 metra larg vendit të ngjarjes.

Gazetari Enrik Mehmeti duke iu referuar burimeve nga policia raporton për “BalkanWeb” se 29-vjeçari Vasil Dervishaj është vrarë me pistoletë dhe dyshohet se kallashnikovi ka qenë i viktimës. Në ekzekutimin e tij dyshohet se kanë marrë pjesë tre persona.

Dyshohet se kallashnikovi është hedhur nga vetë viktima para se të vritej pranë një koshi mbeturinash, por nuk dihet se pse e mbante në makinë. Policia nuk ka gjetur ende pistoletën e cila mendohet se është përdorur në vrasje.

Ngjarja:Vrasja ka ndodhur tek ish-kombinati i peshkut në lagjen ”Pavarësia’, ku i riu është qëlluar disa herë me armë nga persona ende të paidentifikuar në mjetin e tij tip ‘Ford’ me targa italiane “OD 476 AF” me të cilën po udhëtonte.

I riu ka tentuar të hapë derën e makinës për t’u larguar, por nuk ka mundur dot dhe ka ndërruar jetë jashtë mjetit të tij. Vasil Dervishaj ishte pronar i dy bizneseve në Vlorë si dhe tregtar kafeje.

Dy nga pistat kryesore ku po heton policia është ajo për shkak të konkurrencës si dhe për prishje të pazareve të drogës. 29-vjecari ka qenë i dënuar edhe më herët për trafik droge, ndërsa para një viti e gjysmë ka pasur një debat me një tregtar tjetër të kafesë.

Vasil Dervishaj ishte baba i një fëmijë dhe deri më tani policia ka shoqëruar 10 persona në komisariat në lidhje me vrasjen.(d.d/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re