Apeli i GJKKO ka lënë në masën e arrestit me burg për shefin e komisariatit të policisë rrugore në Tiranë, Roven Zeka.
Ndërsa togat e zeza kanë zbutur masën shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku. Ndaj tij u caktua “arrest shtëpie” për shkak te rrethanave familjare.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari i çështjes Engert Pëllumbi. Ndaj shefit të Rrugores është ngritur një akuzë për korrupsion dhe që ka lidhje, në fakt, me një ngjarje të rëndë, ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, pesë persona kanë përfunduar në spital.
Referuar të dhënave të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me operacionin e kryer nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u mësua se tre zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohet se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bëri me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill.
Bashkë me shefin e Qarkullimit Rrugor dhe shefin e Sektorit të Aksidenteve Sokol Novaku, SPAK arrestoi edhe oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku.
AKUZAT NDAJ YRE
Të dy oficerët e lartë akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit, ndërsa në dëshmitë e dhëna kanë mohuar akuzat dhe gjetjet e prokurorisë të bëra prezentë në këtë fazë të hetimit.
Mësohet se Roven Zeka është shprehur në GJKKO se ai është një oficer karriere në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentet për një masë më të butë sigurie për shkak të rrethanave familjare.
Dy shefat e Rrugores kanë deklaruar se ata kanë zbatuar procedurën standarde duke referuar materialet në prokurori për drejtuesen e aksidentit. Ata kanë mohuar dijeninë apo përfshirjen e tyre në veprimet dhe mos veprimet e oficerit Edison Tabaku.
Në urdhrin e ndalimit të lëshuar nga prokurorja Elida Kaçkini evidentohej se të 3 punonjësit e policisë janë transferuar në Tiranë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ku kanë shërbyer më parë.
Prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini kërkoi masën “Arrest me burg” për të dy dhe e njëjta masë u konfirmua nga gjyqtarja Flojera Davidhi.
Të tre efektivët akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni E. V., për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill. Arrestimet u bënë më 19 prill, menjëherë pas zbulimit të rastit, teksa Prokuroria ka zbardhur nëpërmjet përgjimeve edhe bisedat dhe aferën korruptive.
Sipas dosjes hetimore bëhet me dije se Tabaku e njihte bashkëshortin e gruas që shkaktoi aksidentin. SPAK pretendon se ka fakti që Tabaku është takuar dy herë me E. V., me qëllim marrjen e një shumë parash për t’i ndarë me dy eprorët. SPAK saktësoi se ka fakte e përgjime që mundësojnë komunikime me shuma konkrete në lidhje me mbylljen e çështjes së aksidentit të shkaktuar nga shtetasja A. V., ku u tha se u plagosën 5 persona.
Dyshime për kontakte të Roven Zekës me zyrtarë të policisë
Prokuroria e Posaçme ka marrë dëshminë e katër zyrtarëve të policisë, të cilët zhvilluan takime me shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës Roven Zeka, teksa ai mbahej nën arrest në ambientet e Bllokut të Sigurisë.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi më 1 Maj se pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, përmes të cilave u verifikuan hyrje-daljet e zyrtarëve në Bllokun e Sigurisë, hetuesit e BKH-së i thirrën për t’i marrë në pyetje lidhur me arsyet e vizitës në qeli të kolegut të tyre.
Ndërkohë mësohet se të paktën 3 prej tyre iu janë sekuestruar celularët dhe po zbërthehen nga ana e ekspertëve për të parë komunikimet që mund të hedhin dritë mbi rastin.
Prokuroria po i heton zyrtarët nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi nuk lejohet që të kryejnë takime me persona nën hetim.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sa sekuestruar celularin e një biznesmeni të njohur.
Dyshohet se sipërmarrësi ka ndërmjetësuar dhe vendosur lidhjen mes Roven Zekës, si edhe biznesmenit tjetër që dyshohet se ofroi ryshfet që gruaja e tij, e përfshirë në aksident rrugor me 5 të plagosur, të mos arrestohej.