Konkurrenca në tregti dhe konfliktet e mëparshme janë dy pistat ku po heton policia për vrasjen e biznesmenit 52-vjeçar, Çajup Selimi mbrëmjen e të martës në Tepelenë.

 

Burime pranë grupit hetimor thanë se u është marrë dëshmia familjarëve të biznesmenit, ndërsa u shoqërua gjatë orëve të darkës një person me të cilin 52-vjeçari ka pasur përplasje.

 

Nga ana tjetër u sekuestruan kamerat e sigurisë së bizneseve rreth zonës me qëllim identifikimin e autorit, i cili u largua me shpejtësi nga vendngjarja.

 

Çajup Selimi ishte duke ngjitur shkallët e pallatit ku banonte kur u qëllua me dy plumba, një në kokë dhe një në trup. Ai mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spitalin e Gjirokastrës pak orë më vonë.

 

52-vjeçari ishte baba i dy vajzave, ndërsa kishte disa biznese në qytetin e Tepelenës.

 

Në vitin 2018 ai u dhunua me sende të forta nga dy persona në qendër të qytetit. Në dëshminë e dhënë aso kohe, Selimi pretendonte se sulmet fizike ndaj tij ishin të përsëritura, ndërsa policia nuk kishte reaguar në asnjë rast.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re