
Teksa biznesmeni Ermal Beqiri vijon të shpallet fitues në një sërë tenderash publikë, përfshirë edhe ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe jo vetëm, mësohet se aktiviteti i tij ka rënë në vëmendjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Burime për gazetaren e Fax Neës Bleona Prengëzaj bëjnë me dije se oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në zyrat e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të Ermal Beqirit. Burime bëjnë me dije se dyshohet që agjentët e BKH kanë sekuestruar materiale dhe dokumentacione të ndryshme në ambientet e zyrave të Soft & Solution.
Nuk dihet ende nëse këto kontrolle nga Byroja Kombëtare e Hetimit lidhen drejtpërdrejt me tenderat e fituar nga kompania apo në kuadër të ndonje hetimi nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Në një reagim zyrtar për Fax Neës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar deklaron se “nuk ka asgjë për të ndarë” në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, kompania Soft & Solution vijon të jetë një nga përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë, pa u përballur me asnjë pengesë ligjore apo institucionale.
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun në vitin 2021. Në atë kohë, inxhinjeri elektronik 30-vjeçar dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish.zv.kryeministrit, Ilir Meta
Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishin të ekspertonin videon e njohur në publik si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej se Ilir Meta dhe miku e bashkëpunëtori i tij i hershëm, Dritan Prifti, të dy pjesë e qeverisë, diskutonin për “ndarje parash, në shumën 700 mijë euro”.
Ekspertiza e kryer nga Ermal Beqiri dhe ekspertët e tjerë konkludoi se “videoja ishte e përpunuar” dhe se teksti ishte nxjerrë nga konteksti. Bazuar në këtë ekspertizë, trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën.
Lidhur me rastin priten veprime të mëtejshme hetimore nga ana e Prokurorisë së Posaçme.



