Kostot e larta dhe mungesa e mbështetjes nga shtetit ka futur në krizë sektorin e blegtorisë. Si pasojë blegtorët me Cërrik kanë ulur numrin e mbarështimit të bagëtive të imta.
80 -vjeçari Qemal Cerriku i cili vijon të merret me blegtori duke sfiduar vështirësitë e moshës, thotë se nuk ka marrë asnjë ndihme nga shteti duke i bërë apel që të kthejë sytë te ky sektor kyç i ekonomisë.
Numri i bagëtive të imta në Cërrik ka pësuar një rënie të ndjeshme në vitet e fundit, duke reflektuar krizën që po prek gjithë sektorin e blegtorisë në vend. Aty ku dikur kullotat mbusheshin me tufa të mëdha delesh dhe dhish, sot kanë mbetur vetëm pak blegtorë, kryesisht të moshuar, që vazhdojnë të mbajnë gjallë këtë traditë të trashëguar ndër breza.
Në moshën 80-vjeçare, Qemal Cerriku vijon ende të merret me blegtori, një punë që e ka nisur më shumë se 30 vite më parë. Por sipas tij, sot të rinjtë nuk e shohin më të ardhmen te ky sektor, ndërsa vështirësitë ekonomike dhe mungesa e mbështetjes nga shteti po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e aktivitetit.
Dikur një nga shtyllat kryesore të ekonomisë familjare në zonë, blegtoria sot po mbijeton falë brezit të vjetër, ndërsa rrezikon të shuhet bashkë me ta.
