Blendi Gonxhe, një prej figurave simbol të lëvizjes dhjetoriste në ’90-ën që çoi në shembjen e regjimit komunsit, do jetë njeriu që prej sot do drejtojë atë që ndryshe quhet sektori i Patentave. Pra, në vend të Arben Isarajt në krye të Drejtorisë së Transportit Rrugor, të dorëhequr për shkak se iu kap i vëllai nën akuzë për trafik droge, do të jetë Gonxhe, i cili mbante postin e drejtorit të sektorit të Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës.

Kështu, karriera e një prej figurave më emblematike të antikomunizmit të tipit inteleltual të ‘90-ës, vijon të mbetet në nivelet e dytë e të treta të funksioneve shtetërore, pa shkëlqimin e pretenduar ose të parathënë të startit politik. Student i Edi Ramës, benjamin i tij në Lëvizjen e Dhjetorit, Blendi Gonxhe do ishte i vetmi eksponent i Akademisë së Arteve që do mbante fjalime dhe te Qyteti Studenti, pasi ishte pra më afër dyshes Rama – Klosi.

Vite më pas, Gonxhe u përzgjodh nga Rama për të qenë nr. 2 i Bashkisë, zëvëndësi i tij, por që pas përmbytjes së shkaktuar nga derdhja e Liqeni Artificial në tetor 2002, pozita e tij nisi të zbehej derisa u largua nga Bashkia, gjithashtu dhe nga Rama, për t’u rikthyer vite më vonë, nën ethet e riardhjes së mundshme socialistëve në pushtet – në vitin 2009. Por krah Ramës ai nuk është parë më asnjëherë gjatë këtyre viteve.

Raporti mes tyre, nëse është idhnak apo thjesht i ftohtë, dhe se për ç’arsye, mbetet ende një mister. Gjithsesi, përbënte një ironi fakti që një figurë me vokacion historik si Blendi Gonxhe, për vetë rolin dhe pozitën në Lëvizjen e Dhjetorit, përfundoi në vartës të Erion Veliajt. Ndërsa tani, me zhvendosjen në krye të Patentave, kalon si vartës i Gjiknurit, e deri diku edhe i vetë Ramës.         

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re