Ministri i Turizmit Blendi Klosi është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra për thyerje të masave anti-covid.

Policia e Beratit e ka gjobitur ministrin pasi ka organizuar një takim në kundërshtim me masat anticovid.

Po ashtu, me 1 milionë lekë të vjetra u gjobit edhe pronari i biznesit që lejoi organizimin e takimit në ambientet e biznesit të tij.

Kujtojmë se një ditë më parë me 5 milionë lekë është gjobitur edhe ish-deputeti i LSI Endrit Braimllari pasi kishte organizuar një takim elektoral në ambientet e një biznesi në Maliq.

Po ashtu, gjoba kanë marrë edhe dy administratorë lokalesh në Divjakë pasi lejuan zhvillimin e takimeve elektorale nga përfaqësues të PD-së.

Me poshte njoftimi i plote i Policise:

Kuçovë, Berat

Vijojnë kontrollet nga Policia, për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Organizoi një takim në kundërshtim me masat anticovid, ndëshkohet me masë amdinistrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik.

Lejoi organizimin e këtij takimi në lokalin në pronësi të tij, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i subjektit.

Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin K. H., pronari i subjektit, pasi ka lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në subjektin në pronësi të tij, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re