Deputeti i Partisë Socialiste ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe vendimin për të përjashtuar nga punimet e Kuvendit një pjesë të deputetëve të opozitës, të cilët bllokuan foltoren e gjatë seancave të fundit.

 

Në një intervistë për emisionin Quo Vadis, Klosi tha se rënia e bilbilit dhe bllokimi i foltores janë të papranueshme në një sallë Parlamenti.

 

Ai shtoi se edhe socialistët kanë bërë të njëjtën gjë kur kanë qenë në opozitë, por kanë marrë masat sipas rregullores dhe nuk kanë penguar asnjë koleg të flasë.

 

“Edhe mua më kanë përjashtuar një dy herë nga Parlamenti. Kemi bërë edhe ne nga këto gjëra. Nuk është një histori që nuk ka ndodhur apo nuk do ndodhë. Prandaj është rregullorja, ndaj ka masa, ndiqen procedurat. Por nuk është normale që pengimi i fjalës të bëhet me bilbil. Në rastet kur këta deputetë që kanë uzurpuar foltoren do marrin të gjithë nga një bilbil, çfarë do ndodhë pastaj në Parlament.

 

Të marrim dhe ne të marrim bilbilin e të bëjmë garë? Ne kemi marrë masë por nuk kemi penguar të tjerët të flasin. Ai Parlament nuk ka politikë kush i bie bilbilit dhe kush bën më shumë zhurmë.

 

Po të ishte kështu, do quhej një ambient tjetër, por jo sallë Parlamenti. Në sallën e Parlamentit ka nevojë për politikë, akuza e kundër akuza, argumenta e kundër argumenta. Për çdo gjë që ka të bëjë me fjalën. Ne nuk jemi në ambient sportiv. Ajo sallë duhet të ruhet nga pikëpamja e funksionimit parlamentar”, tha Klosi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re