Policia ka dalë me një njoftim zyrtar pas rreth 4 orësh në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Bulqizë ku u bë një atentat ndaj biznesmenit, Gëzim Balla. Mësohet se Balla është kërcënuar nga autorët me një shumë prej 10 mijë eurosh dhe ngjarja e ka zanafillën pas një telefonate që ka marrë biznesmeni nga shtetasi i identifikuar me inicialet F.SH.
Autori i ka kërkuar Ballës të dalë me shumën e parave në një zonë jashtë qytetit ndërsa para se ta bënte këtë, ka njoftuar policinë dhesë bashku janë nisur drejt vendit të përcaktuar nga personi në fjalë.
Pasi ka vënë re prezencën e policisë, autori që ishte fshehur rreth 500 metra nga vendi i lënies së takimit, ka qëlluar në ajër 5 herë dhe është larguar, ndërkohë forca të shumta kanë rrethuar zonën për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë: Policia identifikon dhe vijon kontrollin e zonës për kapjen e autorit të kërcënimit për vënie gjobë ndaj një biznesmeni. Me datë 19.06.2020, shtetasi G.B, (biznesmen), është paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë dhe ka bërë kallëzim, i cili ka deklaruar që është telefonuar dhe kërcënuar për vënie gjobë nga një shtetas.
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale, Policia identifikoi shtetasin F.Sh, i cili kishte telefonuar dhe kërcënuar shtetasin G.B. Në vijim të veprimeve për kapjen e autorit, policia ka shoqëruar biznesmenin në vendin ku i kishte kërkuar autori që të paraqitej.
Shtetasi F.Sh, i cili ishte fshehur rreth 500 metra në shpatin e malit, ka qëlluar në ajër dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja për kapjen e autorit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
/faxweb