Ish-numri dy i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, pas kërkesës së prokurorit të posaçëm, Dritan Prençi, për të ndryshuar akuzën ndaj tij, mori në dorë mbrojtjen e vetes, duke e konsideruar rikualifikimin e veprës penale si hakmarrje.

 

ALQI BLLAKO

ISH-SEKRETAR I PERGJITHSHEM I MINISTRISE SE MJEDISIT

 

Vetëm një prokuror i SPAK thotë që kam shpërdoruar detyrën pa gjetur një moment ekzakt se kur. Një axhendë e mirëorganizuar e hakmarrjes personale e prokurorit ndaj meje. Rekomandimet e Komisionit të Venecias tregojnë qartësisht se kush është funksionar i lartë publik apo shtetëror, si edhe kushtetuta. E ftova prokurorin në seancën paraprake të citonte një ligj të vetëm se ku bazohet, nuk dha sqarime sepse diçka e tillë nuk ekziston.

 

Bllako arsyetoi se në këto kushte, prokurori mund të ngrejë çfarëdolloj akuze.

 

ALQI BLLAKO

ISH-SEKRETAR I PERGJITHSHEM I MINISTRISE SE MJEDISIT

Është njësoj si gjykata të çojë për gjykim çështjen me akuzën “Shpërdorim detyre”, ndërsa në konkluzionet përfundimtare prokuroria të ngrejë akuzën “Vrasje me paramendim”. Është haptazi shpërdorim i prokurorit, me qëllim hakmarrjen personale. Një atentat ndaj gjykatës paraprake. Një shkelje e tillë jo vetëm do ankimohet në KLP, por deri në Strasburg.

 

Ndërsa biznesmeni Arben Dervishaj, duke iu referuar organit të akuzës, të përfaqësuar nga Dritan Prençi, hoqi një paralele me librin “Ushtari i mirë Zhvejk”, pasi SPAK i kërkoi gjykatës edhe për Dervishajn rikualifikimin e veprës penale nga korrupsion i funksionarëve të lartë shtetërorë, në korrupsion privat.

 

ARBEN DERVISHAJBIZNESMEN

SPAK vepron si Zhvejgu, “Ç’më duhet mua, se ç’bëj unë? Brenda 8 muajve SPAK më ka mbyllur në qeli, ndonëse jam jo mirë me shëndet, prokurori më ka vendosur në kushte ekstreme të të jetuarit. Nuk jam unë që kam shpërdoruar detyrën, por prokurori është ai që ka thyer kushtetutën, duke tejkaluar rolin e tij.

Një javë më parë, prokurori i posaçëm, Dritan Prençi, ashpërsoi dënimin e ish-deputetit socialist Alqi Bllako, duke iu rikthyer akuzës fillestare që rëndonte mbi të, asaj të korrupsionit në cilësinë e funksionarit të lartë shtetëror, si numri dy i Ministrisë së Mjedisit, duke i kërkuar gjykatës ta dënojë me 7 vjet heqje lirie. Ndërsa për Lefter Kokën, SPAK kërkoi që të dënohet me 10 vjet burgim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re