Komisioni i Etikës është zhvendosur online pasi deputeti i PD-së, Flamur Noka shkuli mikrofonat në sallën ku zhvilloheshin mbledhjet.

Ndaj Komisioni i Etikës ka vendosur që deputetët e opozitës që shkaktuan kaos në Kuvendin e Shqipërisë, duke bllokuar punimet do të përjashtohen me Zoom.

Në një njoftim, thuhet se zhvillimi i mbledhjes do të mbahet në orën 14:30, përmes aplikacionit online.

“Bej me dije se Sot më datë. 03.11.2023. ora 14.30 Sekretariati për Procedurat e Votimit dhe Etikën zhvillon mbledhje për të diskutuar lidhur me 1. Shqyrtimin e kërkesës të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për: “Marrje mase disiplinore”. Mbledhja do të zhvillohet online në platformën zoom”, thuhet në njoftim.

Grupi PS-së ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Ervin Salianji, Petrit Doda, Edmond Spaho.

“Në nisje të seancës, deputeti Ervin Salianji, zaptoi foltoren, duke penguar zhvillimin normal të punimeve plenare, si dhe i ndihmuar nga deputetët Petrit Doda dhe Edmond Spaho ndezi disa flakadanë në sallën e seancave. Teksa një punonjës i Gardës së Republikës tentoi t’i largojë flakadanin, z.Salianji hodhi një karrige në drejtim të tij. Këto veprime vazhduan gjatë gjithë seancës plenare duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të saj”, thuhet në kërkesë.

Noka shkul mikrofonat

 

Ndërkohë më 31 tetor deputetët e opozitës penguan zhvillimin e mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, ku pritej të merrej vendimi për të përjashtuar 7 ligjvënës të opozitës.

 

Nga pamjet e siguruara nga Panorama.al shihej Sali Berisha kërkoi të flasë gjatë kësaj mbledhje.

Por kryetarja e komisionit të Etikës, Klotilda Bushka nuk i dha të drejtën e fjalës, ç’ka acaroi tonet.

Deputeti i PD, Flamur Noka i shkuli mikrofonin Bushkës dhe kolegëve të PS, duke i detyruar të ndërpresin mbledhjen. Ndërkohë që në ambientet e brendshme ndërhyri dhe Garda e Republikës.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re