Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i ka tërhequr ‘veshin’ bashkive sa i përket punës së zhvilluar në terren për të shmangur përmbytjet dhe bllokimin e rrugëve nga dëbora e akulli.

Në emisionin “Përballë” në Rtsh, Peleshi tha se angazhimi i ushtrisë në terren gjatë këtyre ditëve ka qënë i domosdoshëm, pasi pushteti vendor nuk ka marrë masat e duhura.

Peleshi pranoi se shtetet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë më mirë se ne në mbajtjen hapur të rrugëve.

“Tani pse duhet të hyjë gjithmonë që ushtria të hapë rrugët? Le ta themi hapur. Bashkitë duhet të tregohen pak më të zgjuara në mirëmbajtjen e rrugëve.

Nuk duhet të presin sa të bllokohet rruga nga bora dhe pastaj të thërrasim ushtrinë me buldozerë që të pastrojë dëborën, por duhet ti paraprijnë me kripë dhe me gjithë ato materialet që hidhen në vende fqinje.

Edhe Maqedonia edhe Kosova duhet ta pranojmë janë më mirë se ne, në mbajtjen hapur të rrugëve, ndërsa këtu tek ne presim që të bllokohet rruga që të japim alarmin.

Kjo është arsye pse del ushtria në hapjen e rrugës se Thethit. E kemi pak çështje kulture dhe mentaliteti që i lëmë gjërat për ditën e fundit.

Kemi shumë punë për të bërë për ta ndryshuar këtë sjellje, për të planifikuar. Planifikimi është një nga dobësitë tona në institucione, në familje dhe në shoqëri,”-tha Peleshi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re