Edhe në këtë ditë të shtatë të luftimeve, ukrainasit në qytetet kryesore të vendit janë zgjuar nga sirenat dhe gjëmimet e bombardimeve ruse.

Kjo e mërkurë shënon javën e vijimit të luftës, ndërsa forcat ruse kanë intensifikuar goditjet me raketa dhe avancimin e trupave në disa qytete.

Në qytetin e Karkivit veçanërisht, bombardimet kanë vijuar përgjatë natës dhe këtij mëngjesi, ku janë qëlluar edhe rezidencat civile.

“Ju lutem mbyllni qiellin për avionët e raketat ruse. Sepse ata janë gati ta sheshojnë të gjithë qytetin”-u lut një qytetar që jeton në Karkiv, duke iu drejtuar NATO-s, në mënyrë që këta të fundit të kthejnë qiellin mbi Ukrainë një zonë të ndaluar fluturimi.

Kjo e mërkurë do të duhej të shënonte takimin e radhës mes palëve, në tavolinën e diskutimeve. Deri më tani ende nuk është konfirmuar se kur do të mbahet biseda mes palëve, ndërsa në median ruse zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov u tha gazetarëve se delegacioni rus do të jetë gati sot për të pritur palën ukrainase.

Ndërkohë në median ukrainase, u publikuan këto pamje nga Karkivi

Zhvillimet kryesore deri më tani, sipas BBC-së, janë si vijon më poshtë:

Në veri-lindje, Karkiv:

Parashutistët rusë kanë mbërritur tashmë në qytet dhe po luftojnë për të marrë nën kontroll Karkivin. Ka patur raportime për goditje me raketa të cilat kanë qëlluar mbi një sërë godinash, përfshi dhe atë të universitetit Karazin.

Të paktën 21 njerëz kanë ndërruar jetë, ndërsa 112 të tjerë janë lënduar.

Në jug:

Trupat ruse duket se po bëjnë orvatje më konkrete për të pushtuar jugun e Ukrainëns, ndërsa ministria e mbrojtjes ruse u deklaruar se ka arritur të kapë qytetin e Kerson-it. Kryebashkiaku i qytetit tregon se kontrollin e kanë ende ukrainasit, por fakt është se qyteti është tërësisht i rrethuar nga rusët.

Ndërkohë në Mariupol, një qytet kyç me portin e tij, është nën goditjen konstante të raketave ruse

Kievi:

Jo më shumë se 15 milje larg qendrës, në veri të kryeqytetit, ndodhet tashmë një kolonë e madhe me automjete të rënda ruse. Raketat kanë qëlluar edhe mbi një kullë transmetimi për TV-të, me qëllim shkëputjen e transmetimit të medias. Si rezultat i goditjes atje, të paktën 5 qytetarë ndërruan jetë.

Shifrat e Kombeve të Bashkuara: 136 civilë u vranë deri më tani, 13 janë fëmijë

Kombet e Bashkuara raportuan se deri më tani 136 civilë ukrainas kanë ndërruar jetë si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. 13 prej civilëve të vdekur, janë fëmijë.

Por sipas Liz Throssell, një zëdhënëse e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, mendohet se numri real i viktimave ka gjasa të jetë shumë më i lartë. Throssel shtoi se shumica e jetëve të humbura kanë ardhur si pasojë e sulmeve me raketa nga ana e trupave e aviacionit rus.

Numrat ndërkohë nga pala ukrainase japin një tjetër balance. Sipas qeverisë, 352 civilë kanë vdekur deri më tani, ndërsa 1684 vetë janë plagosur.

“Sulm qytetar”

Shikoni sesi mundohen civilët të ndalojnë një makinë të ushtrisë ruse në Kupiansk, në veri-lindje të Ukrainës.


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re