“Ministria e Arsimit përgjegjëse për mashtrimin ndaj nxënësve ekselentë”, kështu shkruan në një postim në facebook ish deputeti demokrat Luçiano Boçi. “U detyruan të paguajnë për të pasur emrin në librin e ekselencës i cili kushton më pak se pagesa”, shprehet Boçi.

Postimi i plotë:

TË GRABISËSH ME EKSELENCË

Mos u habisni! Kjo u ka ndodhur prindërve të nxënësve ekselentë.

Sipas kërkesës së DA-ve, ato janë detyruar të paguajnë 25 mijë lekë, me qëllim që fëmija i tyre ekselent të kishte emrin në librin e ekselencës.

Taksat disafishe që ata paguajnë për arsim, nuk qenkan kështu të mjaftueshme për të merituar një nderim formal.

Por nuk mjafton kjo. Tashmë që libri ka dalë, është provuar dhe mashtrimi tjetër skandaloz. Libri vetë kushton vetëm 17 mijë dhe diferenca nuk dihet ku ka përfunduar.

Mos harrojmë që janë me mijëra familje që kanë paguar për të marrë meritën për mundin e përkushtimin për rezultatin e fëmijëve.

Përpos kësaj, shumë prej tyre që kanë nxjerrë nga xhepi 25 mijë lekët, sot nuk e gjejnë emrin e fëmijës të shënuar në librin e ekselencës. Kjo është dhe grabitje dhe mashtrim ekselent. Përgjegjëse pa dyshim është Ministria e Arsimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re