Ish-deputeti i Partisë Demokratike Luciano Boçi në një intervistë dhënë në ABC News me gazetaren Mirela Milori tha se zgjidhja e qeverisë për kthimin e maturës në auditore është e rrezikshme për situatën pandemike në vend.

Kjo sipas Boçit, është tepër e rrezikshme pasi shkollat në Shqipëri nuk plotësojnë parametrat e sigurisë shëndetësore sipas indeksit evropian për shkolla të sigurta. Shkollat në Shqipëri nuk plotësojnë asnjë kush hijeno-sanitar.

Ndërkohë që Boçi theksoi se modeli anglez do të ishte tepër i favorshëm për tu aplikuar në rastin e Shqipërisë.

Mirela Milori: Për sa i përket provimit të maturës, si mund të zgjidhej ky moment. Çfarë opsioni jep PD? Si mund të zgjidhet?

Luçiano Boçi: Ka disa modele që ofrohen nga vendet e tjera të Evropës. Ka model qe maturantët janë rikthyer në auditorë por duhet theksuar se këto vende kanë një panoramë të saktë të epidemisë, ata kanë kryer testime në masë. Ka edhe një model anglez, që mbështetet në ecurinë, për vijimësinë e nxënësit përgjatë shumë viteve dhe ka një notë parashikuese për lëndët që janë pjesë e maturës.

Në kushtet kur maturantët nuk kanë zhvilluar mësim në mënyrë efektive prej dy muajsh, për shumë arsye nuk pati ndihmë për nxënësit, për mësuesit, për prindërit për aparate “smart”, për internet falas dhe për shkak të rritjes së papunësisë dhe vështirësisë ekonomike të familjeve shqiptare atëherë duhej një zgjidhje adekuate. Nuk mund të merren maturantë vetëm për hir se duhet të ketë një provim mature, provim dalës, ndërkohë që modelet nxitëse janë të tilla ku mund të vendoset një notë parashikuese. Roli i mësuesit, dhe objektiviteti i tij është shumë i madh.

Mund të ngrihen pranë shkollave komisione të posaçme që të marrin në konsideratë vijimësinë e maturantëve në vite dhe semestra, e të bëhet një konkludim. Nëse parashikohet se provimi i maturës bëhet me rregulla rigoroze, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri, madje unë personalisht kam denoncuar daljen e kopjeve sapo ka filluar provimi, atëherë edhe nota e provimit të maturës nuk ka asnjë diferencë, pavarësisht se ka disa përqindje të vogla nga nota e vijimësisë të maturantit.

Rastet e kapërcyera të mëdhaja, ndodhin kur mënyrat e zhvillimit kanë ndodhur në mënyrë jo korrekte. Dhe ka patur raste që nxënës me vijimësi të dobët, kanë dalë shumë mirë në provimin e maturës dhe e kundërta. Mos të krijojmë të tilla diskordanca dhe duhet një zgjidhje tepër inteligjente.

Ndërkohë Boçi theksoi se gjendja e shkatërruar e shkollave në Shqipëri nuk ofron nje siguri për shëndetin e nxënësve që do të kthehen në auditorë.

“Shkollat nuk respektojnë kushtet. Nuk ka kushte higjeno-sanitare, gjendja është e shkatërruar dhe nuk ofrojnë parametra sipas indeksit evropian. Është e pamundur që në kushte të tilla të ofrohet shërbim mësimor dhe të ketë protokoll sigurie të tillë që të garantohet shëndeti. Unë jam për modelin anglez, për një notë parashikuese për maturantit. Brezi është në stres”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re