“Di që ftesa ka ardhur nga Rama, dhe Kurti ka mbajtur qëndrimin që në këtë vizitë, bërjen publike të takimit, ta bëjnë ata që e kanë pritur”.

Këtë përgjigje dha kreu i Vetëvendosjes në Shqipëri, Bojken Abazi, i cili kandidon në qarkun e Tiranës si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Abazit, presidenti Meta dhe kreu demokrat, Lulzim Basha, e bënë publik takimin, por nuk di arsyet pse kryeministri Rama zgjodhi të mos e bëjë publik.

Duke komentuar vizitën e Kurtit në Shqipëri, Abazi theksoi se fitorja e tij në Kosovë ka sjellë edhe një valë entuziazmi në Shqipëri. Por, sipas tij, shqiptarët duhet të lëvizin vetë se shpëtimi nuk vjen vetëm nga Vetëvendosja.

“Këtë e shoh në disa fshatra të thella të Përmetit dhe Gjirokastrës. Shumë qytetarë në Shqipëri po e përqafojnë si projekt duke ndjerë frymën e nacionalizmit progresist, i ndërthurur me modelin ekonomik.

Shqiptarët e Shqipërisë duhet të lëvizin se nuk do të na vijë shpëtimi nga anëtarët e Vetëvendosje, por është momenti që shqiptarët e lodhur në këto 30 vite, të përfshihen dhe të kalojnë nga dëshira te vullneti”, tha ai për A2.

Ardhja e Kurtit në Shqipëri dhe mbështetja për kandidatët e Vetëvendosjes nuk është e re për politikanët në të dyja anët e kufirit, por e reja, sipas tij, është që kjo po bëhet publike. Sipas tij, çështjet e Shqipërisë janë edhe çështje të Kosovës dhe anasjelltas.

“Politikanë të caktuar kanë mbështetur kandidatë të caktuar në të dyja anët e kufirit. E reja është që ne po e bëjmë publikisht këtë gjë dhe nuk kemi gjë për të fshehur.

Çështjet e Shqipërisë janë edhe çështje të Kosovës dhe anasjelltas nga ana tjetër, Kurti është nënshtetas i Shqipërisë”, tha ai.

Sa i takon deklaratës së Albin Kurtit dje në Tiranë, se do të bashkëpunojë me të gjithë politikanët shqiptarë, Abazi theksoi se për liderin e Vetëvendosjes ka admirim dhe frikë:

“Për Kurtin ka admirim dhe frikë, admirim se VV për 16 vjet është shtypur në mënyrë të dhunshme nga regjimi në Kosovë dhe deri te vrasja e aktivistëve.

Nuk ka bërë kompromise, njerëzit nuk janë pasuruar në Vetëvendosje, dhe kush e ka ndjekur e admiron, por kjo detyron dikë të shohë veten në pasqyrë dhe aty imazhi nuk del siç e kishte menduar e kjo mbase i tremb. Ekziston frika se mos rritemi më shumë se ç’duhet.”

Bojken Abazi tha se është në pritje të KQZ-së për zyrtarizimin e kandidaturës së tij në qarkun e Tiranës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re