Edhe këtë të mërkurë prindërit e nxënësve të shkollës së fshatit Kllobçisht në Maqellarë të Dibrës, nuk kanë lejuar që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë.

Bojkoti ka vijuar për shkak të një vendimi për të zhvendosur nxënësit e kësaj shkolle në shkollën e fshatit Kërçisht.

Komuniteti i prindërve të këtij fshati kërkon që drejtuesit e Zyrës Vendore Arsimore Dibër të anulojnë vendimin për mbylljen e shkollës.

Ata thonë se bojkotimi i mësimit do të vijojë pa afat derisa kërkesa e tyre të merret parasysh dhe të rifillojë mësimi në shkollën e fshatit Kllobçisht.

Ndërkohë, bojkotit të mësimit i janë bashkuar edhe nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën që ishin transferuar në shkollën e Kërçishtit.

Ata kërkojnë që të rikthehen në shkollën e fshatit të tyre pasi i ka të gjitha kushtet e nevojshme dhe është afër banesave të tyre.

Janë rreth 80 nxënës nga klasa e parë deri në të 9-tën që duhet të udhëtojnë disa kilometra për në fshatin Kërçisht që të shkojnë në shkollë.

Por kjo ka hasur në kundërshtinë e prindërve të cilët kërkojnë që mësimi të bëhet në shkollën e fshatit Kllobçisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re