Mazhoranca, e cila ka bojkotuar mbledhjet në Komisionin Hetimor për sterilizimin dhe Check up në Shëndetësi, i kanë bërë ftesë përfaqësuesve të opozitës që të zhvillojnë së bashku vizitat në institucionet zbatuese të kontratave, të cilat janë objekt i hetimit parlamentar.

Në një shkresë zyrtare, PS i kërkon deputetëve të opozitës që të intervistojnë drejtuesit përkatës të qendrave apo institucioneve ku zbatohen kontratat koncensionare.

“Duke ripërsëritur edhe një herë tjëtër vullnetin e mazhorancës në Komisionin Hetimor parlamentar, për të zbatuar vendimin e Kuvendit të datës 21.03.2024, në zbatim të Planit të Hetimit të miratuar në mbledhjen e datës 25.04.2024 dhe kalendarit bashkëlidhur tij, ne anëtarët e komisionit kemi planifikuar vizita në institucionet shtetërore përfituese të dy kontratave objekt i hetimit parlamentar, si dhe intervistimin e mundshëm të drejtuesve përkatës, sipas programit bashkëlidhur”, shkruhet në shkresën e depozituar në Kuvend.

Në vijim, shkruhet: “Nëpërmjet këtij njoftimi jo vetëm kemi si qëllim informimin e kolegëve në komision dhe ftesën ndaj tyre për t’ju bashkuar vizitave dhe intervistave në institucionet përkatëse, por edhe informimin e strukturave administrative të Kuvendit të marrin masat logjistike, administrative dhe financiare, për lëvizjen e deputetëve si dhe për evidentimin dhe dokumentimin e këtyre vizitave dhe intervistave në këto institucione”.

Referuar kalendarit vizitat janë parashikuar të zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, në qendrat dhe institucionet që po zbatojnë kontratat koncensionare të sterilizimit dhe kontrollit bazë mjekësor.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re