Bojkoti i zgjedhjeve dhe djegia e mandateve nga Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj, nuk ka vetëm pasoja politike. PD, LSI, PR, PAD, LZHK, PDK, PDIU dhe PBDNJ nuk do të marrin para nga buxheti i shtetit për zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Sipas Kodit zgjedhor, pika 87/3, për zgjedhjet e qeverisjes vendore si kriter për ndarjen e fondeve përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ për zgjedhjet paraardhëse.

Në këto kushte, në zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë opozitare të sipërpërmendura nuk do të përfitojnë nga buxheti i shtetit, për të përballuar shpenzimet e fushatës në zgjedhjet e vitit 2023.

Megjithatë, këto parti nuk përjashtohen nga e drejta për të përfituar para për zgjedhjet parlamentar e të vitit 2021, pasi morën pjesë në zgjedhjet paraardhëse, të vitit 2017.

Gjithsesi, me anë të ligjit nr 8580, partitë politike në vend kanë të drejtë të përfitojnë para nga buxheti i shtetit edhe gjatë viteve jozgjedhore.

70% e këtij fondi që jepet nga buxheti i shtetit shpërndahet sipas numrit të të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Gjithashtu, partitë opozitare që bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit, kanë të drejtë të mbajnë selitë e tyre të vendosura në ndërtesa publike, përcaktuar sipas ligjit 8580.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re