Kryeministri Edi Rama prej disa ditësh po artikulon në publik mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me një shtet mik për sigurimin e 360 mijë dozave të vaksinës Astra Zeneca, si dhe ka pohuar së fundmi se vendet e pasura po thithin të gjitha vaksinat.

Në lidhje me këto deklarata ka reaguar dhe mjeku infeksionist Erion Dasho, i cili përmes një statusi në facebook i kërkon kryeministrit që të ndalojë ‘përrallat’ me miq misteriozë dhe armiq imperialistë, pasi Izraeli dhe Serbia që kanë siguruar një numër mjaft të madh dozash nuk janë shtete të pasura.

Mungesën e një marrëveshjeje për vaksinat, mjeku Dasho ia faturon kryeministrit, i cili sipas tij u kujtua të bënte marrëveshje në dhjetor të 2020-ës, ndërkohë që Serbia dhe Izraeli kishin negociuar që në maj.

Postimi i plotë: HABERET E BORATIT: KARAGJOZLLËQE QË DUHET TË MARRIN FUND!

Dje Borati me dy sejmenë doli sërish në Rinas për të pritur një kuti e gjysmë me vaksina (një kuti me pesë kartonë dhe një kuti me dy kartonë) dhe nisi deklaratat e zakonshme:

Së pari, përralla me vendin mik që bujarisht na dhuron vaksina. Borati e ka për zemër këtë përrallë pasi ajo çimenton më tej figurën e “babait” të cilën ai u mundua ta krijonte me çdo kusht gjatë pandemisë. Në fakt këto janë dozat e Pfizer-it të cilat janë kontraktuar kush-e-di se me çfarë çmimi stratosferik, ndërsa dozat e AstraZeneca-s që priten së shpejti janë dozat e COVAX-it.

Së dyti, përralla me vendet e pasura që si kuçedra po thithin të gjithë vaksinat nga vendet e varfëra. Në fakt në raport me vaksinat nuk ka vende të pasur dhe të varfër, por ka vende të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm. As Izraeli dhe as Serbia nuk janë vendet më të pasura në planet, por janë ndër vendet më të suksesshme në fushatën e vaksinimit.

Izraeli ka administruar 83 doza për 100 banorë, duke vaksinuar plotësisht 34% të popullatës dhe me një dozë gati 50%. Serbia është vendi i dytë më i suksesshëm në Europë duke administruar 18 doza për 100 banorë (vetëm Britania e Madhe ja kalon në Europë). Serbia ka aplikuar deri tani 1,250,000 doza të vaksinës, ose gati 200 herë më tepër se Shqipëria.

I dashur Borat!

Nuk ta kanë fajin as kompanitë prodhuese dhe as vendet imperialiste që kanë halë në sy Shqipërinë e Boratit që qëndron si shkëmb dhe histori “suksesi” në breg të Adriatikut. E ke fajin vetë! Serbia dhe Izraeli i kanë nisur negociatat në maj 2020, kurse ti u kujtove në dhjetor 2020 kur bënë uljet e Krishtlindjeve dyqanet e bojërave të Neë York-ut.

Boll me përrallat me miq misteriozë dhe armiq imperialistë!

Boll me karagjozllëqe!

Je bërë i padurueshëm…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re