Legjislatura e 10 e Kuvendit që pritet të startojë paraditen e sotme do të ishte interesante, edhe pa ”bombën” e Lulzim Bashës pasditen e djeshme për përjashtimin e liderit historik Sali Berisha nga grupi parlamentar. Por ky zhvillim i minutave të fundit i jep edhe më shumë adrenalinë dhe ngjyra kampit opozitar, dhe pamjes që do të kenë grupet e reja, ku nuk përjashtohet as një fraksion i ri brenda të djathtëve.
Me Sali Berishën që e sheh veten jashtë PD që themeloi 30 vite më parë, dhe mbështetës të tij të pakënaqur me Bashën, nuk përjashtohet mundësia që të kemi një grupim të ri politik, për të cilin ish-kryeministri dha sinjale në disa intervista televizive mbrëmjen e djeshme.
Sa i takon Kuvendit që do të nisë në orën 10:00 të paradites së sotme, seanca e parë e tij do të drejtohet nga deputetja më e vjetër në moshë Luljeta Bozo, ndërkohë që surprizë mbetet dhe qëndrimi që do të mbajë LSI, e cila me 4 deputetët e saj nuk mund të krijojë një grup parlamentar.
Nuk dihet nëse Monika Kryemadhi do të tentojë një bashkëpunim me Berishën, apo aleatët e Berishës që po ashtu kërkojnë krijimin e një grupi parlamentar më vete, apo 4 deputetët e LSI-së do të qëndrojnë si deputetë të lirë në Kuvend.
Kryemadhi nuk ka pasur asnjë takim me Bashën pas zgjedhjeve të 25 Prillit, dhe nuk ka bërë asnjë koment as për zhvillimet e fundit me Berishën. I heshtur sa i takon zhvillimeve politike ka qenë edhe presidenti i vendit Ilir Meta, nga i cili pritet dhe një vendim për dekretimin ose jo të qeverisë së mandatit të tretë të Edi Ramës.
Më e qetë në pamje të parë duket situata në kampin socialist, ku 74 mandatet e siguruara në zgjedhjet e 25 Prillit i japin Edi Ramës komoditetin e numrave dhe e bëjnë mazhorancën e rehatshme në marrjen e vendimeve ku kërkohet shumicë e thjeshtë votash.
Në ndyshim nga dy vitet e fundit të legjislaturës që lamë pas, ku opozita në Kuvend i dha mundësinë të kalonte dhe ligje me shumicë të cilësuar, në këtë mandat Edi Ramës do ti duhet që të shtrijë dorën nga opozita reale, për ndërmarrjen e reformave të mëdha, ndërkohë që përveç 74 mandateve të socialistëve, edhe 3 deputetët e Partisë së Tom Doshit duket se do të jenë vota të sigurta për qeverinë e tij.
Në krye të Kuvendit, Edi Rama ka propozuar Lindita Nikollën, e cila pritet që të rikthejë drejtimin e moderuar, dhe të përpiqet të zbusë gjakrat që me shumë gjasa do të jenë të ndezura mes palëve, me demokratët që e shohin veten për të tretën herë radhazi në opozitë.
Gjatë ditës së sotme Kuvendi do të jetë i ndarë në dy seanca, atë të orës 10:00, që do të jetë hapëse dhe atë të orës 17:00 ku do të bëhet dhe betimi i deputetëve. Me interes pritet mbërritja e Berishës, komentet që ai do të bëjë, por edhe qëndrimi i Lulzim Bashës i cili mori dje vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij politike atë të ”vrasjes së babait”.
(E.K/Faxweb.al)
…
/faxweb