“Burime të rezervuara brenda PD-së, pohojnë se opozita e bashkuar po punon për një skemë sulmi për bllokimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.”

Kështu u shpreh analisti Lorenc Vangjeli.

Ai shtoi se ende nuk ka një vendim përfundimtar se çfarë do të ndodhë sepse dinamika e ngjarjeve mund të diktojë ndryshime deri në minutën e fundit, por elementët kryesorë të asaj që do të ndodhë të dielën e fundit të qershorit janë mbi tryezë.

“Burimet pohojnë se PD e LSI nuk janë të interesuara që bllokimi të ndodhë në çdo qark e qytet të Shqipërisë. Parimi themelor që do të ndiqet është të ndërhyhet në mënyrë të përqëndruar dhe aty ku ka mbulim mediatik shumë të madh. Jo për të ndikuar në proces, por për të shkatërruar standartet e tij dhe të pamundësohet votimi aty ku do të jetë e mundur. Kjo do të thotë se shënjeshtër kryesore do të jetë trekëndëshi i Shqipërisë së mesme, Tiranë-Durrës-Elbasan. Shkodra e Kukësi në veriperëndim e verilindje, Berati e Skrapari në jug. Ndoshta probleme do të shënohen edhe në Lezhë dhe Dibër,” tha Vangjeli.

Sipas tij, në Tiranë, ku do të jetë edhe synimi kryesor, protesta që do të thirret atë ditë, do të synojë të zhvendosë turma të mëdha disa mijëra vetë njëkohësisht nga një qendër në tjetrën, çka do të pamundësonte ndërhyrjen e policisë dhe evidentimin e elementëve të veçantë.

“E njëjta strategji do të ndiqet edhe në qytetet e tjera. Prishja e procesit të votimit në disa qytete mund të shërbejë edhe si një kartë për rikthimin e opozitës në sistem, pjesmarrjen e saj në zgjedhjet që do të përsëriten po në këto qytete ku ajo i ka prishur vetë zgjedhjet,” tha Vangjeli në emisionin “Java në RTSH”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re