Ky 24 dhjetor shënon 10 muaj që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Këtë të shtunë, forcat ruse kanë bombarduar Khersonin duke lënë të paktën 8 persona të vdekur dhe rreth 60 të plagosur , 18 prej tyre në gjëndje të rëndë.

 

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky e cilësoi sulmin si vrasje për kënaqësi. Ai postoi disa fotografi nga qendra e goditur e qytetit të cilat tregojnë makina të djegura, xhama të thyer dhe njerëz të vdekur në trotuare.

 

“Rrjetet sociale me siguri do t’i etiketojnë këto foto si përmbajtje të ndjeshme. Por kjo nuk është përmbajtje e ndjeshme, kjo është jeta reale e Ukrainës dhe popullit ukrainas. Këto nuk janë instalime ushtarake. Janë terror, vrasje për të frikësuar dhe për të shijuar”, shkroi Zelenski.

 

Ukraina rimorri kontrollin e Khersonit 1 muaj më parë kur forcat ruse u tërhoqën përtej lumit Dnipro. Që atëherë, Kievi thotë se forcat ruse kanë bombarduar rëndë qytetin nga përtej lumit.

Kherson ishte i vetmi kryeqytet rajonal i pushtuar nga Rusia që kur ajo nisi pushtimin e Ukarinës me 24 shkurt. Së fundmi Ukarinës i është premtuar sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot i cili do të ndalonte çdo bombardim ajror mbi Ukrainë, por ende nuk dihet se kur ai do të vendoset në dispozicion të saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re