Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë ditën e sotme u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe atyre të opozitës në lidhje me bonusin e pensionistëve për Vitin e ri.

Ishte ministrja e Ekonomisë dhe Financës, Delina Ibrahimaj, ajo e cila deklaroi fillimisht se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, shpërblimi i pensionistëve prej 5 mijë lekësh të reja do të jetë pjesë e buxhetit të shtetit dhe jo pjesë e fondit të rezervës, duke e bërë atë të mos jetë me pikëpyetje nëse do të jepet apo jo.

Debati u nxit nga deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, i cili e cilësoi shpërblimin qesharak, pasi me 5 mijë lekë të reja nuk mund të blihet as një gjel deti, ndaj kërkoi që të ulen shpenzimet për zyrat e administratës shtetërore dhe të alokohen fondet për pensionistët.

Në këtë pikë ndërhyri ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili theksoi se edhe 100 mijë lekë të vjetra të bëhet shpërblimi, përsëri gjysmë kofshe i bie.

Pjesë nga debati:

Arbi Agalliu: Pyetjen ose unë ndoshta nuk e dëgjova, ose për shkak të pyetjeve të shumta që morët nuk i dhatë përgjigje.

Doja ta përsëritja dhe njëherë pyetjen mbi shpenzimet e luksit 51.2 milionë euro që qeveria do të bëjë për blerja automjetesh, pajisje zyrash, kompjuterash, si dhe rikonstruktim dhe ndërtim objektesh, në raport me atë që ju e quani bonusi i pensionistëve dhe që ju e keni futur në buxhet. Për mua është një bonus qesharak pasi me 5 mijë lekë të reja as një gjel deti nuk mund të blihet nga një pensionistë.

Erion Braçe: Po të japësh 10 mijë lekë gjysmë kofshe i bie. 10 mijë lekë e bëjmë po gjysmë kofshe i bie.

Arbi Agalliu: Unë patjetër që mund të japë përgjigje për çfarë ka dhënë Partia Demokratike më përpara, edhe pse nuk kam qenë këtu. Ju prandaj e morët mandatin e tretë, jo për të dhënë një gjel por për të dhënë më tepër se gjeli. Pyetja ime ishte se a shikon ministrja hapësirë nga nevoja reale e pensionistëve, por edhe nga ana morale, që një pjesë e shpenzimeve prej 51.2 milionë euro të alokohen te pensionistët.

Ministrja Delina Ibrahimaj: Ne po përgatisim një listë të detajuar të atyre që ju i quani shpenzime luksi, që nuk fakt nuk janë shpenzime luksi. Ato janë kompjutera të amortizuara që ndikojnë në përditshmërinë e punës së administratës. Ne po investojmë gjithashtu në sisteme. Po nxjerrim listën dhe hajde të diskutojmë nëse janë shpenzime luksi.

Për sa i përket pjesës së rritjes së pensioneve, ndjeshmëria për këtë kategori është shumë e lartë dhe prandaj bonusin, ne nuk e kemi pikëpyetje te fondet e rezervës dhe e kemi te buxheti i shtetit. Dhe nuk do të ketë më pikëpyetje nëse do të merret bonusi i pensionistëve këtë vit apo jo, pasi do të jetë një zë buxhetor i veçantë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re