Prej dy ditësh reshjet e borës kanë pushtuar zonat malore dhe ato në lartësi 500 metra mbi nivelin e detit, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Lidhur me këtë situatë të krijuar, Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka bërë një njoftim, ku tregon akset problematike por edhe ato në të cilat qarkullimi bëhet pa zinxhirë.

Në njoftimin e ARRSH thuhet:

Rajoni Verior – Shkodër: Gjendja e rrjetit rrugor, dhe qarkullimit të mjeteve paraqitet pa probleme të theksuara në qarkullim. Koha është pa reshje dëbore. Nga kontraktorët, kompanitë e mirëmbajtjes dimërore është bërë pastrimi i segmenteve rrugore me prani dëbore, si dhe spërkatja parandaluese me kripë për ngricat. Sqarojmë se lëvizja e mjeteve në përgjithësi realizohet pa zinxhirë. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve gjatë lëvizjes në segmentet rrugore: “Ura Cerenecit – Stebleve”, pjesa fundore, afro 20 km, si dhe në segmentin rrugor “Trebisht – Dogana Trebisht” (Qarku Dibër).

Rajonin Qendror – Tiranë: Kushtet e motit janë pa reshje dëbore. Gjendja e rrjetit rrugor, për këtë rajon në përgjithësi paraqitet pa probleme të dukshme për qarkullimin. Në segmentet rrugore, zona Dajt është bërë spërkatja parandaluese me kripë, por rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në pjesën “Trau Dajt – Antenat – Teleferiku” dhe në pjesën “Lunik – Stebleve”,në rrugën “Librazhd – Peshkopi”.

Rajonin Jugor – Gjirokastër: Ka pasur reshje të dobëta dëbore në qarkun e Korçës, por kanë pushuar. Lëvizet pjesërisht me zinxhirë në një pjesë të segmenteve rrugore, Qarku Korçë në drejtimet: Dardhë, Voskopojë, Qafë Qarri.

Ne segmentin rrugor kryesor “Librazhd – Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Kapshticë”, lëvizja e mjeteve bëhet pa zinxhirë. Nga kontraktorët, që mbulojnë shërbimet e mirëmbajtjes është bërë spërkatja parandaluese me kripë për ngricat. Resurset njerëzore e mekanike të kompanive përkatëse janë në punë.

Përdoruesit e mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit pasi temperaturat do të ulen ndjeshëm, për pasojë shtohet prania e ngricave në rruge, Të respektojnë kushtet e rrugës dhe sinjalistikën rrugore, të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore, të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirë në rrugët për të cilat njoftuam që qarkullimi kryhet me zinxhirë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re