Bordi që përcakton çmimet e karburanteve, që njihet si “Bordi i Transparencës”, është drejt shkrirjes. Në mbledhjen e radhës Këshilli i Ministrave pritet të marrë vendimin për mbylljen e tij. Vizion Plus ka mësuar se vendimi për mbylljen vjen në një moment kur çmimet në tregun ndërkombëtar janë stabilizuar dhe nuk ka pritshmëri për luhatje të ndjeshme.

 

Komuniteti i biznesit e ka kërkuar me ngulm mbylljen e bordit, por qeveria prej muajit mars 2022, kohë kur nisi lufta Rusi-Ukrainë e deri më sot ka diktuar çmimet në treg, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe shmangien e abuzimeve nga ana e tregtarëve.

 

Për 14 muaj çmimi i karburanteve është përcaktuar nga një bord, në përbërje të të cilit janë anëtarë të ministrisë Financave dhe bizneset e fushës.

 

Ndonëse ky bord u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, trupi gjykues vendosi lënie tij në fuqi.

 

Tregu i karburanteve në vendin tonë ka mungesë konkurrence. Thuajse të gjitha kompanitë operojnë më tarifa të njëjta në treg për konsumatorët. Duke shtuar edhe barrën e taksave, Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të shtrenjtë në botë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re