Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka kërkuar që sportistët dhe zyrtarët rusë dhe bjellorusë të mos lejohen dhe të mos ftohen të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.
Vendimi vjen pasi bordi ekzekutiv i IOC-it diskutoi luftën midis Ukrainës dhe Rusisë, që ka tërhequr kundërshtime të fuqishme që kur Rusia sulmoi të enjten e kaluar, përfshirë përdorimin e trupave ruse me bazë në Bjellorusinë fqinje.
Në një njoftim në faqen e saj të internetit, IOC tha se “për të mbrojtur integritetin e garave sportive globale dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve”, atletët dhe zyrtarët rusë dhe bjellorusë duhet të përjashtohen.
IOC po ashtu u kërkoi federatave të tjera ndërkombëtare sportive dhe organizatorëve të bëjnë gjithçka të mundur për të përjashtuar atletët ose zyrtarët sportivë nga Rusia ose Bjellorusia.
Bordi i IOC-it po ashtu vendosi të tërheqë Urdhrat Olimpike nga presidenti rus, Vladimir Putin, zv/kryeministri Dmitry Chernyshenko dhe shefi i shtabit të Zyrës Ekzekutive Presidenciale, Dmitry Kozak.
IOC tha se ata vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën dhe se rekomandimet dhe masat e reja mund të hyjnë në fuqi në përputhje me zhvillimet.